Travel

Ju njohim me një ndër xhevahirët e vërtetë arkeologjik në Arabisë Saudite!

Në një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë në botë, ekziston një monument i gdhendur me gur ranor, i rrethuar nga pemë hurmash dhe rrugë të pluhurosura. Kjo është Hegra, e njohur gjithashtu si al-Hijr ose Mada’in Saleh. Hegra është një xhevahir i vërtetë arkeologjik në Arabisë Saudite dhe vendi i parë arab i regjistruar në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. I ndërtuar midis shekullit të parë para Krishtit dhe shekullit të parë të erës sonë, ky qytet antik përfshin një nekropol mbresëlënës me varre të gdhendura në gur ranor dhe të vendosura përballë peisazhit të shkretëtirës së gjerë të Arabisë Saudite.

Petra, vendi i famshëm në Jordani, ishte kryeqyteti i popullit nabatean, ndërsa Hegra ishte qyteti jugor i mbretërisë, derisa u braktis në shekullin e 12-të. Hegra u hap për vizitorët vetëm në vitin 2019. Në fillim të vitit 2023, arkeologët rindërtuan fytyrën e një gruaje nabateane, mbetjet e së cilës u gjetën në shkretëtirë. Tashmë, shtimi i investimeve në arkeologji nga qeveria saudite nënkupton se nga qytetërimi i Hegrës do të dalin në dritë çdo ditë fakte të reja.

Megjithëse nabateanët nuk lanë pas dokumente të shkruara, një nga arritjet e kulturës së tyre vazhdon të luajë ende një rol të madh në rajon, alfabeti që hodhi themelet e arabishtes moderne. Me të mbërritur në qendrën e vizitorëve, mysafirët priten me hurma dhe filxhanë kafeje saudite. Hegra këshillohet të vizitohet herët në mëngjes ose në mbrëmje, për të mos përjetuar diellin përvëlues.

Në total janë rreth 115 varre. Më i famshmi prej tyre është Qasr al-Farid, i cili qëndron i vetëm, me një strukturë të vendosur përballë horizontit prej rëre. Një varr tjetër është hapur për të gjithë kureshtarët që duan të shohin brenda. Imazhet e feniksëve, shqiponjave dhe gjarpërinjve nënkuptojnë njohjen me kulturat e largëta si Greqia dhe Egjipti.

Shumë vizitorë kombinojnë udhëtimin e tyre në Hegra me vizitat në vendet më të vogla historike si Dadan dhe Jabal Ikmah. Në luginën e Xhebel Ikmah, mund të shihni një sërë mbishkrimesh të gdhendura në aramaisht, dadanitisht, thamudik, minaik dhe nabate. Këto kohë, Petra po lufton me dyndjen e turistëve dhe po përpiqet të kufizojë një numër të konsiderueshëm njerëzish, gjë që i jep mundësinë Hegra-s të njihet dhe të tërheqë më shumë turistë.