Bota Botë e Çuditshme

Ju njohim me macen e quajtur Larry Downing Street, më e famshmja në Britaninë e Madhe!

Në 14 vitet e fundit të trazirave politike në Britaninë e Madhe, ka pasur një figurë të stabilitetit, macja Larry Downing Street. Siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme të 4 korrikut po afrojnë me shpejtësi, macja mund të mirëpresë kryeministrin e saj të gjashtë.

Larry ka qenë në Downing Street gjatë mandatit të pesë kryeministrave konservatorë dhe nëse sondazhet rezultojnë të sakta, ajo së shpejti mund të mirëpresë një kryeministër laburist.

Me largimin e kryeministrit aktual Rishi Sunak nga Downing Street, do të largohej edhe qeni i tij Labrador Nova dhe Larry ndoshta nuk do ta kishte problem këtë. Gruaja e Sunak-ut, Akshata Murti tha se qeni dhe macja kanë pasur zënka të ashpra.

Rikujtojmë se më 4 korrik, Mbretëria e Bashkuar mban zgjedhjet kombëtare, që sipas sondazheve, pritet t’u japin fund 14 viteve të qeverisjes së udhëhequr nga Partia Konservatore. Por, si funksionon sistemi zgjedhor?

Britania e Madhe është e ndarë në 650 zona elektorale. Në secilën prej tyre, votuesit zgjedhin nga një kandidat lokal, që më pas do ta zërë një vend në Parlament. Votuesit zgjedhin një kandidat në fletën e tyre të votimit dhe fiton kandidati me më shumë vota. Zakonisht, ata janë pjesë e ndonjë partie më të madhe politike.

Për ta siguruar shumicën në Parlament, një parti duhet të fitojë të paktën 326 vende. Lideri i partisë që e arrin këtë numër bëhet kryeministër e formon qeverinë. Nëse asnjë parti e vetme nuk fiton shumicën, kryeministri në detyrë qëndron në pushtet dhe i jepet mundësia e parë të formojë një kabinet duke ndërtuar një koalicion ose duke qeverisur si pakicë.