“Openheimer” është filmi që tregon historinë e “babait” të bombës atomike që sillet në jetë nga Christopher Nolan. Ndërkaq, së fundmi ky film ia ka dalë që të thyejë një tjetër rekord. Prodhimi i Christopher Nolan është zyrtarisht filmi biografik më i suksesshëm në historinë e kinemasë botërore. Filmi ka tejkaluar 912 milionë dollarë të ardhura duke lënë pas “Bohemian Rhapsody” në vendin e dytë.
Ky film është bazuar në librin e nderuar me çmimin Pulitzer, “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer”, i autorëve Kai Bird dhe Martin Šervin, i botuar në vitin 2005. Përmes ngjarjeve të tij, si filmi ashtu edhe libri ofrojnë një panoramë të thellë dhe detajuese të jetës së shkencëtarit, si dhe ndërthurjen e tij me projektin Manhattan dhe ndikimin monumental të shpërthimit bërthamor në ngjarjet historike.
Regjisori Christopher Nolan njihet për vëmendjen ndaj detajeve, gjë të cilën e ka dëshmuar përmes produksioneve të mëdha që ka ndërmarrë. Mirëpo, te “Oppenheimer” i ka shpëtuar diçka, të cilën e kanë pikasur shikuesit më të vëmendshëm. Në një skenë ku Oppenheimer, i luajtur nga Cillian Murphy, është në një turmë spektatorësh që mbajnë flamuj amerikanë, diçka shkoi keq. Shikuesit vunë re një gabim që shkakton një pasaktësi historike të filmit.