Bota Botë e Çuditshme

Ju njohim me dyshen babë e bir që kthejnë mbetjet e fushëbetejës në art për të ndihmuar Ukrainën!

Mbetjet e luftës mund të shndërrohen në vepra arti, që jo vetëm që mund të shiten për të mbledhur para për ushtarët në front, por edhe të shërbejnë si testament për qëndrueshmërinë e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë. Babë e bir që jetojnë afër qytetit juglindor të Dnipro, u bashkuan me artistë vendas dhe nisën të kontribuonin në një formë krejt të veçantë për luftën dhe rezistencën e ukrainasve.

“Ne nuk e dinim se si mund t’i ndihmonim djemtë në front. Kishim më parë një biznes mobiliesh, por kur konflikti u përshkallëzua, nuk mund të qëndronim dhe të mos bënim asgjë. Donim të kontribuonim me diçka dhe të mbështesnim ushtrinë tonë”-tha 17-vjeçari Pavlo.

Pjesët e transformuara të municioneve mund të shiten si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar, për të siguruar fonde për pajisjet ushtarake të nevojshme. Duke punuar me artistë të njohur ndërkombëtarisht, të dy filluan të merrnin sende të tilla si gëzhoja ose fishekë automatikësh dhe t’i stolisnin ato, kryesisht me fotografi.

Disa mbajnë imazhe popullore që kujtojnë kohët më paqësore dhe janë në kontrast të plotë me natyrën vdekjeprurëse të municionit. Të tjerët janë stolisur me imazhe patriotike, të veshura me simbole ukrainase ose me ngjyrat blu dhe të verdhë të flamurit kombëtar.

“Çdo pjesë që krijojmë tregon një histori. Nuk ka të bëjë vetëm me artin, ka të bëjë me nderimin e ushtarëve tanë dhe t’i tregojmë botës se edhe përballë vështirësive, ukrainasit janë krijues. Qëllimi kryesor është të ndihmojmë ushtrinë dhe t’u tregojmë njerëzve se Ukraina është viktimë e terrorizmit nga Rusia”-shprehen babë e bir.