Qyteti i Antiguas, një destinacion popullor në Guatemala, i famshëm për rrugët piktoreske, kishat dhe manastiret, jeton çdo ditë nën ankthin e një shpërthimi natyror. Qyteti mahnitës që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ngrihet mbi një zonë tektonike aktive. Me mijëra turistë e vizitojnë Antiguan çdo vit. Pika më e famshme e qytetit është harku i Santa Catalina-s që daton në vitin 1694. Sot është monumenti më i fotografuar në vend dhe një ikonë e Guatemalës. Parku Qendror i Antiguas është zemra e qytetit.
I mbyllur në të katër anët me kolonada elegante dhe ndërtesa të shekullit të 18-të, është një shesh i gjallë ku vendasit vijnë për të takuar miqtë. Aty mund të shihet qartë shkrirja e kulturave të Guatemalës. Deri në shekullin e 18-të, Antigua, e njohur atëherë si Santiago, ishte kryeqyteti i Guatemalës dhe një nga qytetet më të mëdha në Perandorinë Spanjolle.
Por qyteti ndodhet në një zonë tektonike aktive në afërsi të katër vullkaneve Agua, Fuego, Acatenango dhe Pacaya. Në vitin 1773, qyteti u shkatërrua nga një seri e madhe tërmetesh, kështu që qeveria vendosi të zhvendosë kryeqytetin në vendndodhjen e tij aktuale dhe qyteti u bë i njohur si Guatemala e Vjetër. Një nga ndërtesat më të goditura ishte ish-katedralja e mrekullueshme e qytetit. E ndërtuar në vitin 1545, ajo qëndroi për më shumë se 200 vjet, përpara se të rrëzohej nga tërmeti.
Sot ruhen elemente shtyllash, gdhendjesh që i rikujtojnë vendasve gjurmët e asaj godine unike, por edhe tmerrin e lëkundjeve të frikshme. Të njëjtat vullkane që shkaktuan kaq shumë dëme janë shndërruar në tërheqjen kryesore të turistëve. Volcan de Fuego (Vullkani i Zjarrit) 3768 metra i lartë, një nga më aktivët në botë, ka shpërthyer vazhdimisht që nga viti 2002. Vizitorët që duan të dëshmojnë fuqinë e pandalshme të Tokës, mund të ngjiten lart në Volcan Acatenango, i cili ndodhet rreth 50 km nga Antigua.