Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka dhënë së fundmi yllit të Hollywood-it Johnny Depp medaljen e artë të vendit të tij për merita të jashtëzakonshme në aktivitete publike e kulturore, sidomos në fushën e kinematografisë dhe promovimit të Serbisë në botë. Vuçiç dekoroi aktorin amerikan në Beograd, në Ditën e Republikës dhe gjithashtu dha medalje edhe për ish-ushtarë serbë të cilët kanë luftuar në Kosovë.
Depp i tha presidentit se:
Do të bëj gjithçka që t’i qëndroj i vërtetë këtij vlerësimi, që bëhet për përkushtimin tim ndaj vendit tuaj. Këtu në Serbi kam marrë vetëm dhurata. Më duket se më është dhënë një jetë e re nga njerëzit, si Emir (Kusturica, regjisor). Jam gati për një fillim të ri dhe do të doja shumë që të ishte në Serbi, nëse më pranoni.
Rikujtojmë se Depp është përfshirë në disa projekte në Serbi në vitet e fundit, mes të cilëve edhe një serial i animuar, i quajtur “Puffins”, i cili është prodhuar në këtë vend nga një kompani italiane, me mbështetjen edhe të Ministrisë serbe të Kulturës. Seriali i animuar me 168 episode tregon historinë e 4 zogjve të vegjël që ndeshen me një lopë deti. Episodet 5-minutëshe do të transmetohen në iTunes Store dhe Amazon Prime Video.
Ju sjellim në vëmendje se Depp së fundmi po përgatitet të luajë rolin e mbretit francez Louis XV. Ky është filmi i parë që ai do të luajë që kur ai u akuzua për dhunë në familje ndaj ish-bashkëshortes, Amber Heard. Depp mund të jetë ende një person ‘non grata’ në Hollywood, por ai po përgatit projektin e tij të radhës në Francë. Ylli i “Pirates of the Caribbean” do të fillojë xhirimet e filmit të ardhshëm, ende pa titull, në verë. Filmi, i drejtuar nga regjisori francez Maiwenn, do të xhirohet në Pallatin e Versajës, Paris. Xhirimet pritet të vazhdojnë për tre muaj në monumentet e Parisit.