Aktori i njohur Johnny Deep së fundmi ka bërë daljen në shfaqjen e tij të parë pas shumë kohësh në tapetin e kuq. Ai mori pjesë në Festivalin e Filmit Deauville që u mbajt në Francën veriperëndimore pas shfaqjes së filmit të tij ‘City of Lies’. Në këtë film ai luan rolin e një detektivi në pension, i cili është i bindur se Departamenti i Policisë në Los Anxhelos ka luajtur një rol në vrasjen e The Notorious B.I.G. në 1997. Filmi trajton gjithashtu vdekjen e 1996-ës të rivalit të Biggie, reperit Tupac Shakur.
‘City of Lies’ u shfaq për herë të parë në muajin dhjetor të vitit 2018 në Festivalin Noir në Itali. Fillimisht filmi ishte menduar që të dilte në SHBA në muajin shtator të 2018-ës para se të ndërpritej dhe të krijonte vonesa të shumta për shkak të pandemisë së COVID-19. Por që pas publikimit filmi është i disponueshëm dhe mund të shikohet në disa platforma, ku një prej tyre është Hulu në SHBA.
Ylli i “Pirates of the Caribbean” kishte veshur një kostum të thjeshtë, ndërsa kalonte në tapetin e kuq, duke u ndalur disa herë për të bërë fotografi dhe për të nënshkruar autografe për fansat të cilët ishin të pranishëm.
Dalja e rallë e aktorit në tapetin e kuq erdhi pas disa javësh kur një gjykatës në Virginia vendosi që aktori mund të vazhdonte në ngritjen e akuzave për shpifje kundër ish-bashkëshortes Amber Heard. Pas një postimi të bërë prej saj në rrjetet sociale në vitin 2018 ajo kishte shkruar se kishte qenë viktimë e dhunës në familje gjatë martesës me Johnny Deep.
Rikujtojmë, se i nominuari për çmimin ‘Oscar’ dhe aktorja Amber Heard kanë qenë të martuar që nga viti 2015 dhe deri në 2017-ën. Por më pas ata të dy u përfshinë në një procedurë divorci që përfshinte akuza të shumta për abuzim. Pavarësisht të gjithave, në një deklaratë në vitin 2016 nga dyshja, ata pranuan se përveçse marrëdhënia e tyre ishte shumë pasionante, ndonjëherë ishte kthyer edhe në një marrëdhënie të paqëndrueshme.