Bota

Joe Biden prezanton propozimin e Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza!

Presidenti amerikan, Joe Biden shpalosi një propozim të Izraelit mbi përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës, duke thënë se “ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund”. Plani përfshin një armëpushim 6-javor. Gjatë tij, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara të Gazës”.

Ndërkaq, disa pengje, të moshuar e gra do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë. Po ashtu, civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gaza e 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihma humanitare në enklavën e rrënuar.

Në këtë fazë, Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga SHBA-të e BE-ja, si dhe Izraeli do të bisedonin për një armëpushim të përhershëm, për të cilin Biden u shpreh se do të zgjaste “për aq gjatë sa Hamasi iu përmbahet zotimeve të veta”.

Nëse bisedimet zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi i përkohshëm zgjatet gjithashtu për aq kohë sa vazhdojnë bisedimet.

Në fazën e dytë do të shkëmbeheshin të gjithë pengjet, përfshirë ushtarë e forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza ndërsa do të niste armëpushimi i përhershëm.

Faza e tretë përfshin një plan të madh rindërtimi për Gazën.

Ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund dhe që të nisë një ditë e re, tha Biden.

Hamasi, të cilit propozimin ia dorëzoi Katari si ndërmjetës, reagoi pozitivisht. Hamasi u shpreh i gatshëm të angazhohet “pozitivisht e në mënyrë konstruktive” për çdo propozim që flet për armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve e një shkëmbim “të mirëfilltë” të të burgosurve, “nëse Izraeli njofton qartazi se është i përkushtuar për marrëveshje të tillë”.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu bëri të ditur se shefi i qeverisë e ka autorizuar ekipin e tij negociues ta paraqesë marrëveshjen, si dhe “ka ngulur këmbë se lufta nuk do të përfundojë pa u arritur të gjitha synimet, përfshirë kthimin e të gjithë pengjeve, si dhe shfarosjen e kapaciteteve qeverisëse e ushtarake të Hamasit palestinez.

Izraeli e nisi luftën në Gaza si një përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.