Koreja e Veriut sërish tregon muskujt, hedh shumë raketa balistike, me rreze të shkurtra veprimi pranë bregdetit të saj lindor. Ky ishte testimi i parë raketor i Veriut në mbi dy muaj dhe u krye vetëm pak ditë pasi lideri komunist Kim Jong Un u zotua të rrisë arsenalin bërthamor. Raketat u lëshuan nga Peniani e fluturuan rreth 360 kilometra para se të binin në det, sipas Koresë së Jugut.
Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut sepse ky është provokim i qartë që e kërcënon seriozisht paqen e stabilitetin në Gadishullin Korean.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se të paktën dy raketa balistike nga Koreja e Veriut fluturuan më gjatë se 350 kilometra në një lartësi prej 100 kilometrash. Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i cili e vizitoi Seulin javën e kaluar për të rikonfirmuar marrëdhëniet me Korenë e Jugut para se të japë dorëheqje nga posti, tha se Tokio e dënon fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.
Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të mëdha për vëzhgim, si dhe për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Korenë e Jugut, u shpreh Kishida.
Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-ve për armët bërthamore biseduan përmes telefonit e thanë se lëshimi i raketave nga Veriu është shkelje e rezolutave të OKB-së, siç vuri në dukje Ministria e Jashtme koreano-jugore në Seul.
Gjithashtu, ata u zotuan se do të përgjigjen ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut.
Hera e fundit kur Koreja e Veriut kishte hedhur një raketë ishte data 1 korrik, kur tha se me sukses testoi një raketë të re balistike dhe taktike.
Lëshimi i raketave sot u bë vetëm pak ditë pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u zotua se do të prodhojë “disa herë e më shumë” armë bërthamore e se do të sigurohet që ato të jenë të gatshme për përdorim “në çdo kohë”.
Koreja e Veriut përballet dhe me akuza se e furnizon Rusinë me armë, përfshirë me dronë e me raketa balistike për luftën e saj në Ukrainë. Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vende të tjera e analistë thonë se Kim po e ndihmon Rusinë në luftë duke i dhënë raketa në këmbim të ndihmës ekonomike e ushtarake. Moska dhe Peniani i kanë mohuar akuzat, por janë zotuar se do ta forcojë bashkëpunimin ushtarak.