I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur dhe shumë i talentuar Mateus Frroku. Ai sapo ka sjellë bashkëpunimin e tij të dytë me Bujar Qamilin, por këtë herë një baladë surprizuese. Mateusi na ka zbuluar më shumë rreth projektit “Më fal”, por edhe disa detaje të pathëna më parë…
Pse ky titull “Më fal”?
Fillimisht dua të falënderoj Rozana Radin, jo vetëm për bashkëpunimin, por sepse patëm një energji shumë të mirë. “Më fal” sepse pavarësisht moshës, edhe unë edhe Bujari, ashtu si të gjithë, kemi arsye për të thënë ‘më fal’. E gjithë atmosfera ishte pak ndryshe kur thoja që kam një këngë me Bujarin. Kam marrë shumë mesazhe se mendonin se do ishte ndryshe. Ne e kemi një këngë ritmike dhe nuk doja të mendonin që po konkurrojmë “Rrak tak”. Prandaj vendosëm të sillnim një baladë. U munduam që të bënim një këngë të bukur që të mbesi gjatë.
Çfarë mund të na tregosh mbi klipin?
Kisha shumë qejf që Bujari të kishte një klip të mirë, nuk kishte problem se sa do të kushtonte. Duke qenë se Bujari ka qenë një gjeneratë tjetër, klipet nuk i ka pasur kështu. U munduam të japim më të mirën me mundësitë që kishim. Jam shumë i lumtur që morëm atë rezultat.
Cili është një kujtim që mund të ndash me ne, kur u bëre bashkë me Rozana Radin, Kledi Bahitin dhe Bujar Qamilin?
Nuk jemi bërë asnjëherë të katërt bashkë. Dita që Bujari erdhi në studio ishte mëngjes dhe mendova se do na duhet pak kohë, sepse sapo kishte ardhur nga Italia. Dhe me mendjen time thashë që mbasdite do të regjistronim. Por Bujari tha menjëherë ‘hajde ikim në studio’. Shkuam dhe ajo që ne sot dëgjojmë ishte dubli i dytë, dubli i parë ishte për sinkronizim.
Çfarë mendon se ke ende për të bërë në karrierën tënde?
Nuk nisem duke bërë llogari. Më pëlqen kjo gjë (muzika). Jo vetëm e dua, por shpesh mendoj që ky jam unë, nëse nuk e bëj këtë gjë nuk është më Mateusi. Kam që në klasë të parë që studioj art dhe gjithçka është një thirrje e brëndshme. Kam punuar gjithë jetën time në kuadrin e artit. Në fund të ditës unë nuk u dorëzova.
Po skenografia si lindi si ide?
Ishim në Krujë, ajo shtëpia e vjetër ishte një përballje gotitëse. Unë kisha parë vetëm fotot, por live ishte një mrekulli. Ishte një shtëpi 200 e ca vjeçare, edhe pse është dëmtuar pak nga tërmeti, por që vazhdon të jetë aty. Takuam një familje që banonte ngjitur dhe na falën shumë dashuri të gjithëve. Ndërsa pjesa e skenës ishte në pallatin e Kulturës që tashmë është restauruar.
A ka pasur ndonjë merak Bujar Qamili lidhur me projektin?
Unë nuk kam marrëdhënie vetëm si kolegë me Bujarin. Ne njihemi familjarisht me të. Na ndodh që të bashkohemi dhe me pushime. Bujari ka krijuar një lloj besimi tek unë. Kishte pak frikë kur i dërgova fotografitë e para. Ai ka xhiruar skenën e parë dhe tha vazhdoni. Ai është njeri që ka intuitë të fortë dhe eksperiencë, por nuk më ka shqetësuar fare.
Është ndonjë nga këngët e tua dedikim i yti personal?
Unë nëse bëj këngë në formë dedikimi, nuk do t’i hidhja në YouTube. Maksimumi do ta regjistroja dhe do ta dërgoja në WhatsApp…
Nëse dalim tek “Big Brother VIP”, me cilin banor do të qëndroje më mirë si natyrë?
Do të të them një lajm ekskluziv… Unë sapo kam bashkëpuanuar me Maestron. Po të dëgjosh këngën, në gjithë pjesën e refrenit do të dëgjosh zërin tim. Backvokalet janë të miat.
Si do të jetë ky vit për ty?
Nuk e mendoj si viti im apo viti i dikujt tjetër, secili ka rrugën, strategjitë, dështimet… Po punoj fort për materiale të reja, do të kem dy ose tre materiale deri në fillim të verës. Pastaj deri në fund të vitit do të kem dhe 2 ose 3 të tjera.