Kriptovaluta “Dogecoin”, logo e të cilës është një qen ka përjetuar rritje që kur Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ajo po vazhdon të rritet. Trump ka emëruar Elon Muskun, si një nga drejtuesit e “Departamentit për Efiçencë Qeveritare”, që nuk është një agjenci qeveritare dhe ka marrë akronimin “DOGE”.
Dogecoin është një kriptovalutë, që fillimisht u krijua si shaka. Por, me kalimin e kohës “Dogecoin” ka fituar numër të madh të adhuruesve të cilët në mënyrë periodike e kanë rritur çmimin e tij. Ashtu si kriptovalutat e tjera, mbështetësit thonë se mund të përdoret për të blerë e shitur gjëra në internet, pa pasur nevojë të shqetësohen nëse një bankë qendrore apo qeveria do të ndikojë në numrin se sa janë në qarkullim.
Një “Dogecoin” vlente më pak se 16 centë pak para ditës së zgjedhjeve në SHBA më 5 nëntor. Por, vlera ka shkuar në afro 40 centë. Kriptovalutat kanë pësuar në përgjithësi rritje që kur Trump është zgjedhur president. “Bitcoin”, e cila është kriptomonedha më e famshme, arriti shifër rekord prej 92 mijë dollarë, ndërsa e kishte nisur këtë vit në vlerë 43 mijë dollarë. Arsyeja është pasi Trump kishte thënë se dëshiron që SHBA-ja të jetë “kryeqytet i kriptovalutave në botë” dhe të krijojë “një rezervë strategjike” të Bitcoinave.
Vlera e Bitcoinit ka shënuar rritje prej 8 për qind pasi investitorët vunë bast se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale do të kishte ndikim ekonomik në treg. Trump, që i fitoi zgjedhjet presidenciale, ishte zotuar ta bënte Amerikën kryeqytet të kriptove. Kandidati i republikanëve edhe gjatë fushatës ka pranuar donacione në kriptovaluta dhe u shoqërua me investitorë të kriptovalutave. AP-ja ka raportuar se kriptovaluta ka arritur një rekord prej 75.345 dollarëve në fillim të tregtimit, derisa më pas ka rënë për 2.000 dollarë.