Meshkujt duhet ta nisin krijimin e familjes para moshës 35-vjeç, në mënyrë që të shmangin rreziqet që mund të prekin fëmijën e tyre. Të dhënat vijnë nga një studim i ri, ku u vëzhguan 40 milionë bebe dhe nga ku rezultoi se rreziku që të kishin komplikacione në lindje shfaqej që kur baballarët e tyre ishin në të 30-at e tyre dhe që rritej në mënyrë të dukshme deri në moshën 45-vjeçare.
Për dekada me radhë, gratë janë këshilluar që të lënë pas karrierën e tyre dhe të fokusohen te lindja e fëmijës pasi nëse nuk do e bënin do të ishin të rrezikuara. Por studimi i ri, i publikuar në “British Medical Journal”, tregon se përgjegjësi kanë edhe meshkujt. Sipas ekspertëve, të lindurit një bebe të shëndetshme varet nga të dy prindërit dhe mosha e babait kontribuon gjithashtu.
Sipas Profesorit Michael Eisenberg, nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Stanford, në momentin që babai mbush 35 vjeç, ekziston mundësia, ndonëse jo shumë e madhe, që të ketë defekte në lindje. Por ky rrezik rritet më shumë ndërkohë që meshkujt shkojnë në të 40-at dhe të 50-at. Kjo ndodh pasi çdo vit që kalon, meshkujt akumulojnë dy mutacione të reja në ADN-në e spermës së tyre.
Krahasuar me baballarë të moshave 25 deri në 34 vjeç, bebet e lindura nga baballarë të moshave 35 deri në 44 vjeç, kanë rreth 5% më shumë shanse që të lindin para kohe, apo të kenë peshë të vogël në lindje. Eisenberg tha se në këtë pikë, mekanizmat biologjikë që luajnë një rol të mundshëm janë të paqartë, por dyshimet janë se rol ka placenta e nënës.