Supermodelja e njohur Gigi Hadid ka dhuruar së fundmi të ardhurat e saj në ‘Fashion Week’ për ata që janë prekur nga lufta në Ukrainë. 26-vjeçarja ndau një sërë fotosh në Instagram nga shfaqje të ndryshme dhe zbuloi se po jepte një kontribut të konsiderueshëm për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Ikona e modës shpjegoi se pavarësisht nga puna e saj në dhe jashtë pasarelave, ishte gjithashtu përgjegjësia e saj për një sjellje humane, duke ua dhuruar të ardhurat e saj të plota nga fushata e vjeshtës 2022 organizatave ukrainase. Hadid shtoi se ajo dhe koleget e saj modele ishin të interesuara të ndihmonin për të krijuar ndryshime pozitive përmes punës së tyre.
Të kesh një orar të caktuar për Muajin e Modës do të thotë që kolegët e mi dhe unë shpesh prezantojmë koleksione të reja të modës gjatë periudhave zemërthyese dhe traumatike në histori. Ne nuk kemi kontroll mbi shumicën e orareve tona të punës, por do të donim të bënim diçka. Duke ndjekur hapat e mikut tim @micarganaraz, po zotoj të dhuroj të ardhurat e mia nga shfaqjet e vjeshtës 2022 për të ndihmuar ata që vuajnë nga lufta në Ukrainë, si dhe për të vazhduar të mbështes ata që përjetojnë të njëjtën gjë në Palestinë. Sytë dhe zemrat tona duhet të jenë të hapura ndaj çdo padrejtësie njerëzore. Të gjithë ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, përtej politikës, përtej racës, përtej fesë. Në fund të fundit, jetët e pafajshme paguajnë për liderët e luftës. PAQE. PAQE. PAQE.
Rikujtojmë se edhe këngëtari i njohur Sting i është bashkuar zërave të artistëve të famshëm në botë që kanë reaguar për luftën në Ukrainë. Këngëtari britanik ka postuar një video në Instagram të këngës së tij “Russian”, të cilën e ka shkruar kundër Luftës së Ftohtë, në vitin 1985. Sting shkruan në profilin e tij se nuk i pëlqen ta këndojë këtë këngë dhe e bën shumë rrallë, por tani mendon se është e drejtë ta propozojë përsëri, pasi do të ishte sërish aktuale.