Bota Lifestyle

Jetëgjatësia në botë u rrit me 6.2 vjet!

Eurostat, institucioni i statistikave të Bashkimit Europian, ka publikuar së fundmi të dhënat për jetëgjatësinë. Në Bashkimin Europian, mesatarja e jetëgjatësisë arriti në 80.6 vjet në 2022 me 0.5 vjet më shumë nga viti 2021. Gjatë dy dekadave, që nga viti 2002, vlera më e lartë u regjistrua në vitin 2019 kur jetëgjatësia në lindje arriti në 81.3 vjet. Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje në BE u rrit, por nuk arriti vlerën e vitit 2019.

Gratë jetojnë më gjatë se burrat, mosha mesatare e shqiptarëve arrin në 79.1 vite. Nëse i krahasojmë sipas shteteve më gjatë njerëzit jetojnë në Lihtenshtajn, pasuar më tej nga Zvicra dhe Spanja. Ndërsa nëse ndalemi sipas rajoneve, jetëgjatësinë më të lartë në lindje e regjistron rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi ( 84.0 vjeç) dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjet).

Disa faktorë kanë kontribuar në rritjen e përgjithshme të jetëgjatësisë në mbarë botën gjatë 20 viteve të fundit, duke përfshirë një ulje të vdekjeve nga infeksionet e zorrëve si diarreja. Këtë ka zbuluar një ekip kërkimor i udhëhequr nga shkencëtari Simon Hay i Institutit Amerikan për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit, i cili punon në Universitetin e Uashingtonit. Faktorët kryesorë që kontribuojnë në jetëgjatësinë më të gjatë janë ulja e vdekshmërisë nga goditjet në tru dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, u vu re një shkurtim i jetëgjatësisë nga viti 2019 në 2021. Megjithatë, ekspertët e IHME raportuan disa vite më parë se me fillimin e pandemisë së koronavirusit jetëgjatësia në mbarë botën ra me 1.6 vjet për shkak të numrit të madh të vdekjeve të lidhura me Covid-in. Në varësi të rajonit, kjo prirje ndryshonte shumë. Kështu, në periudhën e përmendur, jetëgjatësia në Azinë Juglindore, Azinë Lindore dhe Oqeani është ulur me vetëm 0.4 vjet, që është rënia totale më e vogël. Por shkencëtarët zbuluan se ndërkohë, midis 2019 dhe 2021, jetëgjatësia në Karaibe dhe Amerikën Latine ra me 3.6 vjet.