Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, dha dorëheqjen nga posti, pas vetëm 45 ditësh në detyrë.
Ajo tha se nuk mund të vazhdonte në detyrë për shkak se nuk mund të zbatonte premtimet me të cilat u zgjodh në këtë detyrë nga partia e saj.
Truss do të jetë kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Ajo ka qenë nën presionin e deputetëve konservatorë për të dhënë dorëheqjen pas dorëheqjes së Suella Braverman si sekretare e Brendshme dhe pas krizës që pësoi qeveria e saj.
Truss u vu në qendër të polemikave për një plan të dështuar për uljen taksave të prezantuar nga qeveria muajin e kaluar. Plani ekonomik shkaktoi trazira financiare dhe një krizë politike që solli dhe shkarkimin e Ministrit të Financave të Truss, ndryshime të politikave dhe një përplasje të brendshme në Partinë Konservatore në pushtet.
Gjatë një konference për mediat Truss deklaroi se i ka paraqitur dorëheqjen Mbretit dhe zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të Partisë Konservatore do të zhvillohen brenda një jave.
“Mora detyrën në një kohë paqëndrueshmërie të madhe ekonomike dhe ndërkombëtare. Familjet dhe bizneset ishin të shqetësuara se si do t’i paguanin faturat.
Lufta e jashtëligjshme e Putinit në Ukrainë kërcënon sigurinë e të gjithë kontinentit tonë. Dhe vendi ynë është frenuar për një kohë të gjatë nga rritja e ulët ekonomike.
Unë u zgjodha nga Partia Konservatore për ta ndryshuar këtë situatë. Kemi arritur të shkurtojmë faturat e energjisë dhe ato të sigurimeve shëndetësore. Dhe ne përcaktuam një vizion për një ekonomi me rritje të lartë dhe me taksa të ulëta që do të përfitonte nga Brexit.
E pranoj se, duke pasur parasysh situatën, nuk mund ta përmbush mandatin me të cilin jam zgjedhur nga Partia Konservatore.
Prandaj i kam folur madhërisë së tij, Mbretit për ta njoftuar se po jap dorëheqjen si lider i Partisë Konservatore.”
Vendimi për dorëheqje vjen pasi një prej ministrave të kabinetit të saj dha dorëheqjen të enjten.
Liz Truss bëhet kështu kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Britanisë së Madhe, duke dhënë dorëheqjen vetëm gjashtë javë pasi mori detyrën.
Truss deklaroi se do të qëndronte në detyrë deri sa të caktohej pasardhësi i saj.
Kandidati kryesor për të marrë postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe është Rishi Sunak i cili u mposht në garën për kryetar të Partisë Konservatore dy muaj më parë, pikërisht nga Truss.
Asokohe, Sunak paralajmëroi rivalen e tij se planet e saj për uljen e taksave do ta çonin ekonominë britanike në rënie të lirë.
Rishi Sunak fitoi çdo raund votimesh mes deputetëve në garën për lider të Partisë Konservatore, por ka pikëpyetje nëse ai mund të ribashkojë partinë, pasi shihet si figura kryesore që luajti një rol kyç në largimin e Boris Johnson nga posti i kryeministrit.