Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë.
Mësohet se Toska ka dorëzuar sot zyrtarisht shkresën në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, nuk dihen arsyet e vendimit të papritur të Toskës.
Elsa Toska u votua nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në nëntor të vitit 2019. Ajo u bë një nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pasi mori 105 vota pro dhe 2 kundër në Kuvend.
Elsa Toska ka qenë Këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese. Më 12 shkurt të këtij viti, Toska si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, kaloi me sukses Vettingun duke u konfirmuar në detyrë. Vendimi mori formë të prerë pasi nuk u ankimua më datë 21.03.2019.
Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punonte si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare.
Top Channel