Tech

“Jeni të parëndësishëm…”/Elon Musk reagon pas largimit të The Guardian!

Pronari i platformës X, Elon Musk ka reaguar ndaj vendimit të gazetës së madhe britanike, The Guardian për t’u larguar nga ky rrjet social. Miliarderi e quajti të përditshmen britanike si “të parëndësishme dhe një makinë propagande dhe shumë e turpshme”. “Janë të parëndësishëm”-ka shkruar ai teksa i është përgjigjur një lajmi për vendimin e The Guardian. Ndërkohë, gazeta ka bërë të ditur arsyet se pse po largohet nga kjo platformë që është në pronësi të 53-vjeçarit, i cili së fundmi u bë e ditur se do të mbajë një pozitë të rëndësishme në administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trumpit.

“Është diçka që e kemi shqyrtuar prej kohësh duke pasur parasysh përmbajtjen shpesh shqetësuas të promovuar ose gjetur në platformë, duke përfshirë teoritë e konspiracionit të ekstremit të djathtë dhe racizmin”-shkruante në njoftimin e gazetës me seli në Londër. “Fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA shërbeu vetëm për të nënvizuar atë që e kemi shqyrtuar për një kohë të gjatë; se X është një platformë mediatike toksike dhe se pronari i saj, Elon Musk, ka qenë në gjendje të përdorë ndikimin e saj për të formësuar diskursin politik”-tha ndër tjerash The Guardian. Ndërkaq, gazeta ka më shumë se 80 llogari në X me afro 27 milionë ndjekës.

Rikujtojmë, se platforma e mediave sociale Bluesky ka parë më shumë se 700,000 përdorues të rinj në javën që nga zgjedhjet në SHBA. Kjo pasi, përdoruesit kërkojnë t’i shpëtojnë dezinformatave dhe postimeve fyese në X. Fluksi, kryesisht nga Amerika e Veriut dhe Britania e Madhe, ka ndihmuar Bluesky të arrijë 14.5 milionë përdorues në mbarë botën, nga 9 milionë në shtator. Studiuesi i mediave sociale Axel Bruns tha se platforma ofronte një alternativë ndaj X-it, dikur Twitter, duke përfshirë një sistem më efektiv për bllokimin ose pezullimin e llogarive problematike dhe kontrollimin e sjelljeve të dëmshme.

Rrjeti social X deri më tani ka kufizuar chatbotin e tij të AI Grok duke e ofruar vetëm me pagesë. Megjithatë, platforma me sa duket po përgatitet të ofrojë chatbotin edhe falas. Gjatë fundjavës, disa studiues dhe përdorues të aplikacioneve shkruan rreth një versioni falas të Grok që u vihej në dispozicion njerëzve në rajone të caktuara. TechCrunch ishte në gjendje të konfirmonte që X të paktën po teston qasjen falas në Grok për përdoruesit në Zelandën e Re.