Disa protestues në Elbasan u shoqëruan në polici, pas tensioneve dhe përplasjeve mes qytetarëve dhe uniformave blu.
Të revoltuar reaguan disa demokratë.
“Jeni kukullat e Edi Ramës apo jeni Policia e Shtetit”, u shpreh një protestuese.
Mediat raportojnë se në polici janë shoqëruar Hamza Lamce, Arben Pjetri, Agron Beqiri, Hamit Tabaku, Altin Bica, Edi Pojani, Albi Bylykbashi, Aurel Bylybashi, Sokol Shkelzeni, Daniela Gjini, Dorian Koldashi dhe Enver Lamçe.
Për tre orë me radhë, protestuesit e opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit, duke shkaktuar një trafik të rënduar prej disa kilometrash, në një nga nyjet me më shumë qarkullim në vend. Protestuesit u përplasën më pas me efektivët, kur këta të fundit ndërhynë për të liruar rrugën.
Për tri orë qarkullimi i makinave në gjashtë akset kryesore të vendit ishte i paralizuar prej protestës së organizuar nga opozita.
Mbështetës të opozitës, së bashku me deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë bllokuan qarkullimin e makinave, duke lejuar vetëm ambulancat të kalonin.
Situata më e tensionuar ishte në Tiranë, Rrogozhinë dhe Bradashesh.
Në ish-sheshin Shqiponja, Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka së bashku me deputeten Albana Vokshi u përplasën fizikisht me policinë.
Në Bradashesh dhe Rrogozhinë protestuesit u përplasën me qytetarët të cilët mbetën të bllokuar me orë të tëra në rrugë.
Nga ana tjetër, në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, Tiranë dhe Milot u dogjën goma nga protestuesit.
Në fund të protestës, Noka paralajmëroi vijimin e protestave duke thënë se “vijon mosbindja civile”.