E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë Artemisa Gogollari, mjeke dhe kërkuese shkencore në Zvicër, e po ashtu edhe mjeshtre e meditimit që me këshillat e saj të ndihmon të transformosh jetën tënde. Ajo ka folur rreth një aspekti shumë të rëndësishëm të dashurisë, një që shumë njerëz e anashkalojnë, ajo ndaj vetes…
Sa e rëndësishme është që ta duash veten?
Dashuria për veten është burimi i vërtetë i lumturisë, i përparimit, edhe i aftësisë për të dashur të tjerët pa kushte, burimi i shërimit të lëndimeve, të traumave nga e kaluara. Është shërimi i thellë neurologjik i gjithë sistemit nervor, sepse aktivizohet edhe nervi vagus, pra është një lloj sistemi rigjenerimi në trup dhe trupi ndihet se ka dashuri. Ka vërtet ato kimikatet e oksitocinës, që është hormoni i dashurisë dhe është vërtet burim shërimi. Ky është një burim i vazhdueshëm që ne e kemi brenda vetes, se nuk varet nga valëzimet emocionale të njerëzve të tjerë. Ne jemi mësuar që shtëpinë tonë ta ndërtojmë tek të tjerët. Por njerëzit e tjerë gjithmonë do kenë lëvizje emocionale, nëse ata i kanë këto përjetime ne përpiqemi të përshtatemi, të shtypim veten, t’i bëjmë qejfin të tjerëve, duke lënë veten mënjëanë. Nëse mëson ta ndërtosh atë brenda vetes, nuk do të përpiqesh të kontrollosh njerëzit e tjerë apo të varesh shumë nga ta.