Elio Lorenzoni, sipërmarrësi nga Brescia, i cili prej disa muajsh shoqërohet me Belen, është bërë pjesë e jetës së aktores dhe yllit të njohur televiziv. Ai ka festuar ditëlindjen e tij dhe në fakt, e gjithë familja e Belenit ishte e pranishme në drekën e organizuar për 41-vjetorin e Elio-s.
InstaStory të shumta janë shpërndarë në rrjetet sociale që dokumentuan disa nga momentet më të bukura të ditës së shënuar, ndër të cilat më i rëndësishmi, ai i tortës së sjellë nga Belen për të uruar të dashurin e saj.
Por vlen të theksohet se ky nuk ishte momenti i vetëm i rëndësishëm. Madje, në profilin e bukuroshes është postuar edhe shkrepja e parë e puthjes së tyre e shoqëruar me këto fjalë: “Urimet më të mira për ty që je pafundësia për mua”. Një postim padyshim romantik që Belen ia dedikon partnerit të saj të ri për të konfirmuar seriozitetin e lidhjes së tyre dhe që të jep shpresë se ajo ka gjetur sërish pak lumturi.
Nuk është sekret që pas përfundimit të lidhjes me Stefano De Martinon, Belen u përball me një periudhë të vështirë e cila e bëri atë të distancohej pothuajse nga gjithçka, por tashmë i përket së shkuarës dhe Belen ka arritur të gjejë pak qetësisë falë pranisë së Elio.