Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar gazetarja dhe moderatorja e njohur Aulona Musta për të na folur rreth fenomenit ‘body shaming’, paragjykimit dhe bullizimit që i bëhet njerëzve me përmasa të ndryshme trupore. Si e sheh Aulona këtë fenomen në Shqipëri?
Është fenomen kudo në botë. Ka ardhur me përhapjen e rrjeteve sociale, jemi më të ekspozuar dhe komentet bëhen lirshëm. Nëse më përpara i shihje modelet në revista, sot duke pasur akses në një gamë të gjerë, sheh njerëz herë të modifikuar me fotoshop herë nga ndërhyrjet kozmetike dhe të krijohet përshtypja se të jesh brenda këtyre parametrave është normale dhe nëse nuk je, atëherë je ti gabim dhe kështu fillon të ulët vetëvlerësimi. Të tjerët më pas nisin të të etikojnë, të tallin dhe të përjashtojnë. Çdo epokë ka pasur imazhet e veta që quheshin idealet. Para disa viteve pëlqeheshin femrat e kolme dhe nëse kishe imazhin me trupin muskuloz bullizoheshe, talleshe dhe quheshe femër e shëmtuar. Sot është bërë më i aksesueshëm mendimi i turmës, nëse komentet para 30 viteve bëheshin te lagjja sot kanë përmasa më të mëdhaja. Njerëzit janë të ndryshëm, konstrukti është i ndryshëm, historia e jetës po ashtu, genetika është e ndryshme. Ka njerëz që e kanë të trashëguar genin e obezitetit dhe nuk kanë çfarë të bëjnë.
Disa nga mesazhet më të çuditshme që i vijnë Aulonës në rrjetet sociale?
Një shembull i fundit, një nga vajzat që stërvitet me programin tim, më tha që nuk mundet dot më, do të heqë dorë. Familjarët i thonë ‘hiq dorë se nuk ke për t’u dobësuar asnjëherë, je një lop, një balenë’. Burri i saj tallet me atë gjithashtu. Realisht nervozohem aq shumë, nëse mendon se nuk do ia dalë mos e thuaj, përkundrazi duhet ta mbështesësh, ta shtysh më shumë. Do dështoj për veten e tij/saj edhe nëse e bën. Sado që ju them që duhet të bëheni të fortë mendërisht, jo të gjithë janë kaq të fortë. Në fillim duhet të punosh me mendjen. Duhet të jemi një shoqëri më motivuese. Jo të gjithë e kanë forcën mendore që atë komentin e keq ta përballojnë dhe ta hedhin në koshin e plehrave.