Aktualitet

Javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare!

Javën e ardhshme, Ministria e Financave do të zhvillojë rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare. Ankandi fillestar ishte zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti dhe Ministria e Financave emetoi obligacione në vlerën e 1.835 miliardë lekëve.

Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultoi 7.94%, yield ndjeshëm më i lartë se kuponi indikativ prej 7.3%, i paraqitur nga Ministria e Financave para ankandit. Në rihapjen e javës së ardhshme, shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave është 1.5 miliardë lekë.

Qeveria shqiptare ka nisur emetimin e obligacioneve 15-vjeçare që nga viti 2021. Prej atëherë, janë zhvilluar gjithsej 10 ankande të këtyre instrumenteve, për një shumë totale të emetuar prej afërsisht 13.8 miliardë lekësh.

Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë. Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

Për shuma deri në 50 milion lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milion lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese, pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Sipas rregullave të ankandit, në ankandet e obligacioneve të gjitha kërkesat pranohen me një yield uniform, që është yield-i më i lartë mes kërkesave të pranuara në ankand.

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.

Kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëherë mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjesëtimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

Ankandet e obligacioneve më afatgjata janë një alternativë e mirë për investitorët që synojnë të rrisin kthimet e portofolit të tyre. Këtu përfshihen investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, por këto instrumente mund të jenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël.

Vitin e kaluar, yield-et pësuan një korrektim të ndjeshëm në rënie sidomos në segmentin e bonove, çka bëri që edhe interesi i individëve për të investuar të ishte më i ulët. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për vitin e kaluar, në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, blerjet e individëve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me 2022-shin.

Sipas burimeve nga tregu, në vitet e fundit ka pasur shfaqje interesi edhe nga investitorë të huaj për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare. Hapja e tregut të bonove dhe obligacioneve për një bazë më të gjerë investitorësh, sipas ekspertëve do të ishte një ndër parakushtet themelore për të mundësuar një zhvillim të mirëfilltë të tregut dytësor të titujve qeveritarë në Shqipëri./Monitor