Lifestyle Tech

Japonia ‘vite dritë larg’, krijohet aplikacioni me Inteligjencë Artificiale që zbulon dhimbjet tek macet!

Në Japoni, ekziston një aplikacion që po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar e që quhet ‘CatsMe’. Siç kuptohet dhe nga emri, ka të bëjë pikërisht me macet. E në fakt kjo nuk është për t’u habitur, pasi në Japoni ka shumë kafshë shtëpiake.

Bëhet e ditur se në vitin 2023 në shtetin japonez kishte pothuajse 16 milionë mace dhe qen, numër ky më i madh se i fëmijëve nën 15 vjeç. Siç raportohet, Mayumi Kitakata ndër vite ka pasur disa mace, ndërsa së fundmi ka kërkuar ndihmën e AI (Inteligjencës Artificiale) për të zbuluar dhimbjen e mace së saj Chi, shkruajnë mediat e huaja. Kitakata shpjegoi:

Ajo është në një moshë ku do të shfaqen gjithnjë e më shumë sëmundje.

Profesori i Universitetit Nihon, Kazuya Edamura, vuri në dukje se ndërsa veterinerët shpesh mund të tregojnë nëse një kafshë ka dhimbje, kjo është më sfiduese për pronarët e kafshëve shtëpiake. Sipas Edamura, mbi 70 % e maceve të moshuara kanë artrit ose dhimbje, por vetëm 2 % e tyre vizitohen në një spital kafshësh.

Aplikacioni ‘CatsMe’, i përdorur nga mbi 230 mijë klientë që nga fillimi i tij vitin e kaluar, thuhet se ofron mbi 95 % saktësi, që pritet të përmirësohet me më shumë të dhëna. Fillimisht, AI për zbulimin e dhimbjes së maceve u prezantua si CPD (Cat Pain Detector), pra matës i dhimbjeve të maceve, në vitin 2023, por u riemërua si ‘CatsMe’ në janar të vitit 2024. Tashmë, aplikacioni ka kaluar në një shërbim bazë me pagesë, duke ofruar veçori të mëparshme ekskluzive për anëtarët premium.