Bota

Japonia goditet nga tajfuni Shanshan, 3 viktima dhe dhjetëra të plagosur!

Të paktën tre persona kanë mbetur të vdekur dhe një i katërt rezulton i zhdukur në Japoni për shkak të tajfunit Shanshan, i cili goditi prefekturën Kagoshima, duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra me shpejtësi mbi 250 kilometra në orë. Kjo është bërë e ditur nga shefi i kabinetit të vendit, Yoshimasa Hayashi.

“Meqenëse ky tajfun lëviz ngadalë, sasia totale e shiut mund të jetë mjaft e madhe”-shtoi Hayashi gjatë një konference për shtyp. Autoritetet raportuan për 39 të plagosur dhe më shumë se 100 ndërtesa të dëmtuara në qytetin bregdetar të Miyazaki dhe në Kagoshima.

Më shumë se 250,000 familje në shtatë prefektura po përjetojnë ndërprerje të energjisë elektrike që nga ora 9:00 e mëngjesit të së enjtes). Kompanitë ajrore ANA Holdings dhe Japan Airlines, kanë njoftuar anulimet e më shumë se 600 fluturimeve të brendshme, ndërsa shërbimet e trenave janë pezulluar në shumë zona të Kyushu. Sipas autoriteteve, stuhia mund të jetë një nga më të fortat që ka goditur ndonjëherë rajonin, ndërsa qeveritë lokale kanë lëshuar urdhra evakuimi për miliona banorë në disa prefektura.