Bota

Japonia e alarmuar nga shkeljet ruso-kineze në hapësirën e saj ajrore!

Japonia po shprehet se është thellësisht e shqetësuar për shkeljet e fundit të hapësirës ajrore dhe aktiviteteve të tjera ushtarake nga Rusia, si dhe nga Kina. Qëndrimin e shprehu sot ministri i Mbrojtjes, Minoru Kihara. Deklarata e tij erdhi gjatë një konference për shtyp, një ditë pas fluturimit të një avioni ushtarak rus tre herë mbi Detin e Japonisë në veri të ishullit Hokkaido.

Një rrethanë që ka nxitur një luftëtar të Forcave të Vetëmbrojtjes Ajrore Japoneze të përdorë për herë të parë një raketë sinjalizuese, sipas raportimit të bërë të ditur më herët nga Ministria e Mbrojtjes.

Ishte fundi i muajit të kaluar kur për herë të parë Japonia konfirmoi se një avion spiunazhi ushtarak kinez kishte shkelur hapësirën e saj ajrore mbi ujërat e Detit të Kinës Lindore, në brigjet e ishujve të prefekturës Nagasaki, në arkipelagun jugperëndimor.

Ne jemi të shqetësuar se këto lloj rastesh kanë ndodhur në një periudhë të shkurtër kohore në ujërat dhe në hapësirën tonë ajrore, vuri në dukje Kihara duke e quajtur ndërhyrjen e Rusisë në hapësirën ajrore një “akt provokues”.

Po ashtu, Kihara raportoi se gjithsej tetë anije detare kineze dhe ruse kanë mundur të kalonin bashkërisht nëpër ngushticën e Sojës, midis Hokkaidos e Sakhalinit ndërsa kanë lundruar nga deti i Japonisë në detin e Okhotskut nga e diela e javës që lamë pas e deri të hënën e djeshme.

Duke e përshkruar përdorimin e zjarrit kundër avionit rus si një “vendim të duhur”, ministri Minoru Kihara tha se Japonia do të vazhdojë që të monitorojë aktivitetet ushtarake kineze dhe ato ruse, për të dhënë “përgjigjet e nevojshme në mënyrën e duhur”.