Ish-ministri i Mbrojtjes, Shigeru Ishiba pritet që të bëhet kryeministër i ri i Japonisë ditën e sotme. Kjo pasi ai fitoi një garë të ngushtë për të drejtuar partinë Liberal Demokrate (LDP) që është në pushtet. 67 vjeçari Ishiba mposhti rivalen nacionaliste Sanae Takaichi në balotazh, në një konkurrim ndër më të paparashikueshmit për liderin e kësaj force politike në dekadat e fundit. Ishin nëntë kandidatë që hynë në garë për këtë post.
Lideri i LDP-së, partisë e cila e ka udhëhequr Japoninë pothuajse përgjatë gjithë epokës pas luftës, praktikisht e ka të sigurt emërimin si kryeministër i vendit aziatik për shkak se partia ka shumicën në parlamentin japonez.
Kryeministri në largim, Fumio Kishida, muajin e kaluar njoftoi se do të japë dorëheqje për shkak të një vargu skandalesh, të cilat zbehën popullaritetin e partisë.
Ne duhet t’i besojmë popullit, duhet ta themi të vërtetën me guxim e sinqeritet, si dhe të punojmë së bashku për ta bërë Japoninë një vend të sigurt e ku të gjithë mund të jetojnë me buzëqeshje përsëri, vuri në dukje Ishiba gjatë një fjalimi të shkurtër para ligjvënësve, pas votimit.
Qëndrimi i tij ndaj diplomacisë me Amerikën, aleaten më të madhe të Japonisë do të jetë në qendër të vëmendjes, duke qenë se vazhdimisht ka kërkuar që marrëdhëniet mes tyre të jenë më të baraspeshuara. Gjatë fushatës së tij, bëri thirrje dhe për krijimin e një NATO-je aziatike, një ide që e ka zemëruar Kinën, e që është hedhur poshtë nga një zyrtar i lartë amerikan.
Ambasadori amerikan në Japoni, Rahm Emanuel e uroi Ishibën për postin dhe tha se mezi pret të punojë me të për forcimin e aleancës SHBA-Japoni. Shigeru Ishiba hyri në Parlament në vitin 1986, pas një karriere të shkurtër në bankë, por qëndrimet e shprehura kanë bërë që ai të ketë armiq brenda LDP-së.
Madje ishte lënë mënjanë nga kryeministri në largim, Kishida dhe u bë zë kundërshtar në parti duke gëzuar përkrahje të madhe nga publiku e anëtarë të bazës së partisë. Po ashtu ka kundërshtuar shfrytëzimin në rritje të energjisë bërthamore, si dhe e ka kritikuar partinë e tij për moslejimin e çifteve të martuara të përdorin mbiemra të ndarë.