Celebrities

“Janë sjellë tmerrësisht keq me mua”/ Këngëtarja e famshme shpërthen ndaj fansave: Kur u sëmura, e vetmja…

Këngëtarja e famshme, Halsey, ka zbuluar rishtazi se për pak humbi jetën nga përballja me sëmundjen e lupusit dhe CTCL (cutaneous T-cell lymphoma), një lloj kanceri që e ka fillesën te qelizat e bardha të gjakut (T limfocitet).

Përmes një postimi në “Tumblr”, ajo u tregoi njerëzve sfidat me të cilët ishte përballur dhe s’i kurseu kritikat për fansat e saj:

“Fansat e mi janë padyshim më të këqij me mua se me çdo njeri tjetër në planet. S’po flas për të gjithë, sigurisht. Por ka qenë një pjesë e vogël që është sjellë tmerrësisht keq me mua dhe tani duket se shumica thjesht ka ngecur dhe herë pas here thonë se sa më urrejnë dhe sa e keqe jam. Është e vështirë për mua që të ndërveproj në një hapësirë që s’ka mirësi, simpati, durim, ose sinqeritet dhe mirësjellje njerëzore. Sidomos, pas vitesh fshehjeje nga ndërveprimet prej frikës se do të ndodhte saktësisht kjo gjë. Nuk e di. Për pak sa s’humba jetën”.

“Nuk do them gjëra që nuk më bëjnë më të lumtur. Shpirtërisht, nuk mund ta përballoj këtë. Kur u sëmura, e vetmja gjë për të cilën mendoja, isha të bëhesha më mirë, që të isha sërish pjesë e kësaj (referuar muzikës)”, tha Halsey, duke shtuar se tanimë do të zvarritet në një vrimë të errët dhe se u pendua që u rikthye.
Këngëtarja e “Closer” u rikthye në muzikë me këngët e saj “The End” dhe “Lucky”.  Ajo tregoi se rruajti kokën 4 herë sepse donte ta bënte diçka të tillë dhe një herë tjetër, sepse u sëmur.

“The End” detajon edhe sfidat e saj me shëndetin, ku këngëtarja shprehet: “Kalojnë ca vite dhe mjekët thonë që jam e sëmurë; fillimisht ishte truri im; tani një skelet me dhimbje”.

Në qershor të këtij viti, Halsey foli për gjendjen e saj, duke thënë se “është me fat që është gjallë”. Ajo u bëri tag “Lupus Research Alliance” dhe “Leukaemia and Lymhoma Society” në postimin e saj dhe njerëzit i kuptuan problemet shëndetësore të artistes.

Në një seri me foto dhe video të publikuara në rrjetet sociale, Halsey tha se ndihet si ‘një zonjë e vjetër’. “Për t’i rënë shkurt: Jam me fat që jam gjallë”, shkroi këngëtarja, duke njoftuar gjithashtu se do të sjellë një album të ri.

Artistja, emri i saj i vërtetë i së cilës është Ashley Nicolette Frangipane, ka folur edhe më parë për problemet me shëndetin e saj, duke u shprehur se gjithë jetën e saj ka qenë e sëmurë. Në vitin 2022 ajo zbuloi se shëndeti ishte përkeqësuar kur ishte shtatzënë me djalin e saj, Ender.