Është një lloj sindromi i krijuar me kalimin e dakadave që filmi që një aktor x bën menjëherë pas fitores së një statuje Oscar-i është mesatar. Dhe i ka ndodhur të paktën dy nga protagonistëve të thrillerit psikologjik “The Little Things” – Jared Leto (Pas fitores si aktori më i mirë jo-protagonist tek “Dallas Byers club” (2013) dështoi si Jokeri tek “Suicide Squad” (2016), Rami Malek (Pas Oscarit për interpretimin brilant të Freddie Merqury-t tek “Bohemian Rhapsody” – “Doolittle” (2020) dhe pastaj “The Little Things). Të kuptohemi jo se interpretimet e tyre janë poshtë nivelit të paracaktuar nga ata vetë – por filmat si të tërë janë mesatar. Nga ky rregull përjashtohet titani i kinemasë amerikane Denzel Washington, i cili në të dy rastet e Oscarit të fituar – “Glory” 1990 dhe “Training Day” (2002) ka vazhduar me filma të mirë-bërë. Po një rast nga 3, është përjashtimi që konfirmon rregullin. Të kuptohemi “The Little Things” nuk është një film i keq, por tre aktorë të jashtëzakonshëm, nuk e bëjnë dot atë të spikatur.
Filmi është i një ‘rrace’ që po zhduket në kinema. Vitet ’80 dhe ’90 thrillerat psikologjikë shkëlqyen, prej historive shokuese të amerikës së errët mbushur me vrasës serialë; mjaft të përmendim “The Silence of the Lambs”, “Se7ven”, “Kiss the Girls” apo “The Bone Collector” (në gjysmën e tyre Washington ishte protagonist). Vitet e fundit gjithmonë e më tepër zhanri po realizohet si seri televizive duke i ikur kinemasë – “True Detective” & “Mindhunter”. John Lee Hancock (skenaristi dhe regjisori) tërë kohës uron që filmi i tij të kthehet në një epik të David Fincher dhe potenciali është aty, por nuk ndodh, filmi zvogëlohet me çdo minutë që kalon, sidomos në 30 minutat e fundit. Përtej performancave dhe kimisë mes treshes së ‘arit’, fotografisë grishëse dhe një kolone zanore ngacmuese – këto janë gjërat e ‘vogla’ që nuk e lënë filmin të bëhet i madh.
Joe Deacon (Washington) është një polic i dështuar në Los Angeles dhe punon në Bakersfield, i izoluar nga shoqëria. Historia zhvillohet në fillim të 1990 – përkon me “The Night Stalker” – një arsye më shumë për t’u dukur i vjetëruar (thuhet se skenari i filmit është shrkuar gjithashtu çerek shekulli më parë). Deacon ose Deke ka një peng karriere i cili ju kthye në peng jete, ndaj e shkuara do t’i bëhet e tashme kur rikthehet në L.A. për të marrë një shkresë e për t’u gjendur në mes të një çështjeje që ngjason me të tijën e cila i është ngarkuar dedektivit që e zëvëndësoi kur ai iku – Jim Baxter (Rami Malek). E pas disa përçapjesh i dyshuari i tyre kryesor bëhet Albert Sparma (Jared Leto) duke e kthyer historinë në një garë macja kapi miun ku Tom-i janë Deke dhe Jim ndërsa Jerry është individi më i shpifur në qytet – Sparma, i cili kënaqet jo pak duke i bërë sport dy policëve.
Njësoj si tek “Se7ven” ka një qasje old school vs. new school të dy dedektivëve të cilët në fillim nuk pëlqehen por pastaj interesi për të kapur vrasësin serial i bën një. Washington shkëlqen mes të treve, është e jashtëzakonshme aftësia e tij për të qënë i përfshirë 360 gradë në një skenë të caktuar, që e bën Leto-n të duket i tepruar dhe Malek diçka në mes. Ndërsa Washington bën “Zodiac” dyshja janë tek “Along Came a Spider”.
Në fund janë zgjidhet a-logjike që shkatërrojnë potencialin e filmit duke i dhënë një fund që nuk i rri përshtat dhe duke e zvogëluar në një rraqe që e harron 2 minuta pasi ka mbaruar. Misteri dhe intriga kthehen në një zgjidhje pa zgjidhje dhe kjo zvarritet për gjatë, aq gjatë sa çdo gjë e madhe që premtonte filmi, kthehet në çikërrime mbrëmjesh kur bëhesh pishman që nuk lexove një libër në vend të filmit.