Aktualitet

Janari i përgjakshëm i rrugëve, dyfishohen aksidentet/“Fajtorët” kryesorë janë të rinjtë!

Ky vit ka nisur me një rritje mjaft të ndjeshme si të aksidenteve rrugore, ashtu dhe të të dëmtuarve prej tyre. INSTAT-i raportoi se në muajin Janar 2024 numërohen 162 aksidente rrugore. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, aksidentet janë dyfishuar, teksa në janar 2023 u regjistruan 84 të tilla.

Të njëjtën tendencë ka shënuar dhe numri i të dëmtuarve nga këto aksidente. Sipas INSTAT, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 229 persona në muajin Janar 2024. Numri i të dëmtuarve pothuajse u dyfishua. Në të njëjtin muaj të një viti më parë kishte 119 të vdekur e plagosur.

Sipas INSTAT-it, aksidentet rrugore, në 84,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 26,5 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Në muajin janar 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e martë me 19,1 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditën e premte me 10,5 %.

Në muajin janar 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 12:00-14:00 duke zënë 20,4 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Aksidentet rrugore, në 16,0 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.