Moderatori James Corden është bërë fytyra e kompanisë Weight Watchers, me të cilët nënshkroi një kontratë shumëmilionëshe. Ai i ka falënderuar për ndihmën në përballimin e sfidave me peshën. Megjithatë, vitin e kaluar, ai ndërpreu këtë bashkëpunim dhe filloi të përdorte Ozempic, një ilaç popullor për humbjen e peshës mes personazheve të famshëm. Ndryshe nga shumë të tjerë që pretendojnë se kanë humbur peshë me ndihmën e Ozempic, Corden ka përjetuar një përvojë të ndryshme.
“E kam provuar Ozempic, dhe siç mund të shihni, nuk ka funksionuar për mua. Ai thjesht ul ndjenjën e urisë, por unë rrallëherë ha vetëm sepse jam i uritur”-ka thënë Corden për DailyMail. Ai beson se problemet e shëndetit mendor mund të jenë shkaktar i ngrënies së tepruar, duke pranuar se shpesh konsumon sasi të mëdha çokollatash gjatë kohës që është në makinë.
Ozempic është një ilaç i cili përdoret kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2. Përbërësi aktiv, semaglutidi, ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Por ajo që e ka vendosur Ozempic në qendër të vëmendjes është efekti i tij anësor i papritur, humbje e konsiderueshme në peshë tek përdoruesit.
Shumë prej tyre kanë raportuar rezultate të jashtëzakonshme në humbjen e peshës me Ozempic. Disa kanë arritur të humbin një numër të madh kilogramësh brenda një periudhe relativisht të shkurtër, gjë që ka rritur popullaritetin e tij ndër personat që kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe efektive për kilogramët e tepërt. Ky ilaç ul oreksin dhe ngadalëson zbrazjen e stomakut, duke bërë që përdoruesit të ndihen të ngopur për një kohë më të gjatë.
Verën e kaluar, mjekët në Mass Eye and Ear vunë re një numër jashtëzakonisht të lartë pacientësh me neuropati optike ishemike anteriore jo-arteritike, NAION, një lloj goditjeje në sy që shkakton humbje të papritur të shikimit pa dhimbje në njërin sy. Raste të tilla janë të rralla. 10 në 100.000 njerëz mund ta përjetojnë atë, por mjekët vunë re tre raste brenda një jave dhe secili prej tyre përdorte medikamente për diabetin ose obezitetin.
Një vështrim pas në të dhënat mjekësore gjatë gjashtë viteve të fundit, tregoi se njerëzit me diabet kishin më shumë se katër herë më shumë gjasa për t’u diagnostikuar me NAION nëse merrnin një semaglutide me recetë dhe ata që ishin mbipeshë ose obezë kishin mbi shtatë herë më shumë gjasa të përjetonin sëmundjen nëse po merrnin mjekimin. Novo Nordisk, prodhuesi i medikamenteve të vetme semaglutide në SHBA, theksoi se të dhënat në studimin e ri nuk janë të mjaftueshme për të vendosur një lidhje shkak-pasojë midis përdorimit të ilaçeve semaglutide dhe NAION.