Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

“Jam frymëzuar nga lidhja ime e dashurisë”/ La Fazani flet mbi projektin e fundit “Overdrive”!

I ftuar në “Live from Tirana” përmes një lidhje telefonike ishte artisti Arbër Salihu, ndryshe i njohur si La Fazani. Ai ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re, “Overdrive”, e cila ka arritur vendin e 10-të në “The Top List” këtë javë. Artisti na ka folur më shumë për këtë projekt, ku e gjen ai frymëzimin, si dhe shumë detaje të tjera…

Përse është kjo këngë më romantike nga të tjerat?

Doja të bëja një këngë që nis muajin në një mënyrë më të çiltër dhe të ëmbël, duke reflektuar elementet e saj përmes këngës. Ka dhe këngë të tjera që i kam paraqitur këtë anë timen, por gjithmonë një prerje e elementeve që karakterizon artin tim është që nuk di se çfarë stili do të vijë kënga tjetër. Më pëlqen të eksploroj stile të reja dhe melodi të ndryshme.

Cili është frymëzimi i kësaj këngë?

Më së shumti, marrëdhënia romantike në të cilën jam. Është këngë e dashurisë, hyn thellë në komunikim romantik djalë-vajzë me gjithë bukurinë e saj dhe ndjenjat që kjo lidhje jep. E dashura ime është bashkëautorja e klipit, ato i punojmë bashkë me partnerin tonë Qazim Gashi, jemi një trio që punojmë bashkë.

La Fazani kujdeset për çdo detaj, si mënyra e paraqitjes në skenë. Pse kjo zgjedhje e tij me veshjet kaq unike?

Është pjesë e të qenurit artist. Po del të prezantosh diçka, kështu që çdo element që përmban duhet të flasë diçka. Jam rritur duke parë dhe dëgjuar artistë të shkëlqyeshëm në të gjitha nivelet, si ajo e paraqitjes vizuale dhe nuk kam si të mos kujdesem për këtë. Kisha një kostum shumë unik në Festivalin e Këngës në Kosovë. Ishte e nevojshme, ajo ishte një skenë shumë e madhe dhe pa një paraqitje të mirë nuk bëja dot. E shoh si obligim për një artist që të jetë estetikisht i kënaqshëm, por dhe të përcjellë një mesazh konceptualisht. Secili detaj është për t’u studiuar.

Në lidhje me emrin tënd artistik, La Fazani, çfarë kuptimi ka?

Është lojë fjalësh. Zogu i fazanit më është dukur gjithmonë me shumë karakter dhe interesant, me ngjyra dhe vibrant. Shtoj një parashtesë dhe bëhet La Fazani, kaq e thjeshtë është. Ky emër artistik nuk reflektohet shumë në këngët e mia të dashurisë, por besoj se qëndron më fort në të tjerat që vijnë nga satira dhe parodia e konteksteve shoqërore në jetën në Kosovë, si dhe të jesh një i ri në të.

Angazhohesh më me filmat dhe teatrin?

Fatkeqësisht është rralluar sepse jam fokusuar në prodhimin e muzikës. E kemi një kanal të fëmijëve, quhet ‘Planeti i Fëmijëve’ ku punoj me fëmijë. E bëj me shumë pasion sepse dua që t’i edukoj rreth muzikës. Kam qenë pak pasiv në këtë aspekt, por do të rikthehem.

La Fazani njihet dhe për pjesëmarrjen e tij në grupin Oborri, por së fundmi ka rënë në letargji. A do të rikthehen ata?

Për momentin, kolegët e mi janë të zënë dhe ne të gjithë kemi vendosur të eksplorojmë rrugëtimin tonë muzikor në një mënyrë individuale. Jemi shokë të mirë dhe bashkëpunojmë bashkë, thjesht dëshironim ta bënim vetë këtë rrugëtim për momentin. Do të rikthehemi.

Sa e vështirë është të ruash veçantinë tënde si artist?

Nuk është aspak e vështirë për mua personalisht, është diçka që vjen natyrshëm dhe di ta bëj. Kam provuar të bëj diçka më mainstream, por nuk ka dalë e atillë. Tregu është shumë i vështirë, sepse nuk është aq i madh sa të mundesh të akomodosh artistë të ndryshëm. Është i specializuar vetëm për të suportuar një lloj specifik muzike. Do të dëshiroja që në të ardhmen, të evoluonte dhe të përfshinte më shumë.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga e fundit e La Fazanit, “Overdrive”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.