Për shkak se lufta për të fjetur lidhet zakonisht me plakjen, mund të mendoni se të moshuarit thjesht kanë nevojë për më pak gjumë. Por ky është vetëm një mit! Të moshuarit kanë nevojë për gjumë po aq sa të rinjtë edhe pse mund të jetë më e vështirë të arrihet. Ju njohim me disa arsye se pse mund të jetë e vështirë të flini ose të qëndroni në gjumë gjatë gjithë natës.
Keni probleme të caktuara shëndetësore
Shumë çrregullime shëndetësore duke përfshirë urthin, artritin, problemet e zemrës dhe sëmundjet e mushkërive, mund ta bëjnë më të vështirë gjumin gjatë natës. Gjithashtu çrregullimet e gjumit, të tilla si apnea e gjumit, por edhe menopauza, mund ta vështirësojë për këdo këtë proçes.
Urinoni shpesh gjatë natës
Kjo mund të jetë për shkak të prostatës së zmadhuar, të cilën ka më shumë të ngjarë ta përjetoni me kalimin e moshës ose mund të jetë rezultat i ilaçeve. Për shembull, nëse merrni një diuretik për presionin e gjakut, mund t’ju duhet të urinoni më shpesh. Pavarësisht nga shkaku, vizitat e shpeshta në banjë gjatë natës, ju prishin gjumin.
Mund të jetë për shkak të “evolucionit”
Shpesh, të moshuarit bien në gjumë herët dhe pastaj zgjohen në 4 të mëngjesit dhe nuk mund të flenë më. “Ka disa specialistë që studiojnë teoritë e evolucionit dhe thonë se kjo është një mënyrë për të ruajtur specien njerëzore”, tregon Dr.Abhinav Singh nga Indiana. “Domethënë, njerëzit e rinj, të shëndetshëm dhe të fortë, qëndronin zgjuar deri vonë, për të ruajtur. Pastaj, në agim, kur edhe grabitqarët janë të lodhur, do t’ia dorëzonin radhën pleqve të fisit”, shpjegon Dr. Singh.
Po bëni më pak gjumë të thellë
Të moshuarit bëjnë më pak gjumë të thellë çdo natë, pra nuk ndryshon vetëm sasia e gjumit por edhe cilësia. “Ne ende nuk e dimë pse përqindja e tyre e gjumit të thellë zvogëlohet me kalimin e moshës”, thotë Dr. Singh.