Studiuesit do të mblidhen në Australi për një konference treditore rreth superyllit muzikant Taylor Swift. Këngëtarja tashmë është subjekt i kurseve universitare në SHBA dhe “Swiftposium” do të jetë konferenca e parë akademike ndërkombëtare në botë për ta studiuar dhe diskutuar atë. Konferenca do të shqyrtojë ndikimin që këngëtarja ka pasur në gjithçka, nga industria e muzikës tek kultura dhe biznesi.
Konferenca do të mbahet në Melburn në shkurt, javën në të cilën Taylor Swift po zhvillon turneun e saj Eras dhe organizatorët thonë se ajo është mëse e mirëpritur të jetë pjesëmarrëse. 33-vjeçarja është bërë një nga artistet me të ardhurat më të larta të të gjitha kohërave. Madje, ekspertët flasin për mënyrën sesi ajo rrit ekonominë e vendeve dhe qyteteve që viziton në turneun e saj, duke e quajtur atë “Swiftonomics”.
Ndërkaq, dy gazeta amerikane po kërkojnë dikë për të ndjekur dhe për të raportuar koncertet e Taylor Swift dhe Beyoncé. Gannett, rrjeti më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se do të punësojë dy gazetarë për të mbuluar koncertet e dy yjeve të muzikës pop. Synimi është të tregojnë kuptimin e muzikës së tyre dhe efektin që të dy këngëtarët po lënë në shoqëri. Në përshkrimin e punës për Beyoncé, Gannett tha se po kërkonte një gazetare që mund të tregonte se si ndihet ndikimi i superyllit ndër breza dhe se si ajo ka qenë një forcë në gjithçka.