Bota

Izraelin nuk e ndalin kërcënimet e Hezbollahut, sulmon përsëri!

Izraeli nuk ndalet e konfirmoi se ka goditur qindra objektiva në Liban, disa orë pasi lideri i Hezbollahut, grupit libanez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, mbajti një fjalim duke u zotuar për hakmarrje. 37 të vrarë e rreth 3 mijë të plagosur është bilanci më i fundit i viktimave nga një sërë shpërthimesh më 17 shtator në Liban e Siri, që kishin në shënjestër pajisje të komunikimit.

Izraeli nuk ka komentuar për shpërthimin e mijëra pejxherëve dhe radiolidhjeve të Hezbollahut, por Hezbollahu nuk ka dyshime se janë vepër e shtetit hebraik.

Në fjalimin e tij, shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, synoi të theksonte dy qëllime kryesore: forcimin e moralit të Hezbollahut dhe mbajtjen e presionit psikologjik ndaj Izraelit.  Edhe pse e pranoi se shpërthimet e pajisjeve të komunikimit të grupit përbënin një kthim pas, sulmet vdekjeprurëse i përshkroi si pengesë të përkohshme në konfliktin më të gjerë me armikun.

Po ashtu, foli për unitetin e Libanit në përgjigje të shpërthimeve e pretendoi se sulmi dështoi të arrinte qëllimet.

Në përgjithësi, retorika e Nasrallahut sinjalizoi se udhëheqësi i Hezbollahut ka pak të ngjarë që të ndryshojë kursin pavarësisht pengesave të fundit dhe do të vazhdojë me gjendjen aktuale të konfliktit me intensitet të ulët me Izraelin.

Nuk vonoi shumë nga fjalimi dhe ushtria izraelite njoftoi se avionët luftarakë goditën “rreth 100 raketahedhëse e të tjera pjesë të infrastrukturës së terroristëve”, duke shtuar se ka shkatërruar 1.000 armë që ishin bërë gati për t’u hedhur.

Sipas medias shtetërore libaneze, Izraeli e ka goditur Libanin të paktën 52 herë. Ndërkaq, Hezbollahu raportoi se ka kryer të paktën 17 sulme në objektet ushtarake në veri të Izraelit.

Shpërthimi i pajisjeve të komunikimit dhe sulmet ajrore vijnë pasi Izraeli njoftoi se po e zhvendos vëmendjen e luftës së tij nga Libani e Hezbollahu. Që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor, mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr në kufi pothuajse çdo ditë.

Zjarri ndërkufitar ka lënë të vrarë qindra persona në Liban, shumica luftëtarë të Hezbollahut, si dhe dhjetëra të tjerë në Izrael, mes tyre ushtarë. Me mijëra persona nga të dyja anët e kufirit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Vazhdimisht, bashkësia ndërkombëtare ka tentuar që të shmangë shpërthimin e një lufte në shkallë të plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut.