Trupat izraelite kanë zgjeruar operacionet kundër grupit radikal palestinez Hamas në veri të Rripit të Gazës, siç edhe njoftuan sot Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Trupat izraelite filluan që të operojnë kundër infrastrukturës terroriste në zonën e Beit Lahia. Në të njëjtën kohë, forcat e IDF-së vazhdojnë që të jenë në zonën e Jabalias, si dhe kanë eliminuar rreth 50 terroristë gjatë ditës së kaluar, shtoi ushtria në njoftimin publik.
Qyteti i Beit Lahias shtrihet në veriun ekstrem të Rripit të Gazës ndërsa kampi i refugjatëve i Jabalias gjendet në jug të tij. Burimet palestineze kanë raportuar për shumë viktima civile në zonën e shkatërruar dhe situata humanitare përshkruhet si “katastrofike“.
Po ashtu, IDF-ja i ka bërë thirrje popullatës që të evakuojë zonën por banorët raportojnë se shumë prej tyre po refuzojnë të largohen pasi i shohin pjesët e tjera të Rripit të Gazës si të pasigurta e nuk kanë se ku të shkojnë më. Në rajonin e jugut, trupat ushtarake kanë eliminuar një numër terroristësh të armatosur dhe shkatërruan infrastrukturën terroriste në zonën rreth Rafahut, në afërsi të kufirit me Egjiptin.
Në mënyrë të përsëritur, tashmë IDF-ja po kthehet në zonat nga ku ishte tërhequr më parë ndërsa kërkon që të eliminojë qelizat e Hamasit e nuk ndalet. Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në brezin bregdetar pas sulmeve brutale të kryera nga luftëtarët e Hamasit në Izraelin jugor, në tetor të vitit të kaluar.
Parlamenti izraelit kaloi një ligj që mundëson dëbimin e familjarëve të sulmuesve palestinezë, përfshirë shtetasve të vendit hebre. Ata do të dëbohen në Gazën e rrënuar nga lufta ose edhe në vende të tjera. I shtyrë përpara nga anëtarët e partisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e ekstremit të djathtë, ligji kaloi me 61 vota pro e 41 kundër. Kjo nxiti protesta të ashpra në Izrael.