Bota

Izraeli vret një komandant të Hezbollahut në Liban!

Ushtria izraelite njofton se ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Izraeli e pati akuzuar se mbikëqyrte sulmet ajrore dhe ato me raketa kundërtank ndaj forcave izraelite në jug të shtetit libanez.

Abu Ali Rida, komandant i Hezbollahut në zonën Baraçi u “eliminua” gjatë një sulmi ajror, tha ushtria izraelite, pa dhënë më shumë detaje. Rida ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve ajrore e me raketa kundërtank ndaj ushtrisë izraelite, si dhe kishte mbikëqyrur aktivitetet terroriste të operativëve të Hezbollahut në këtë zonë.

Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban që kur u intensifikuan luftimet mes palëve në fund të muajit shtator. Në tetor, shteti hebre nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit. Javët e fundit, Izraeli ka vrarë disa komandantë të Hezbollahut, grup i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka në listën e zezë vetëm krahun ushtarak por jo edhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka një vend në Parlamentin libanez.

Në mesin e udhëheqësve të vrarë nga Izraeli ishte edhe lideri i grupit, Hassan Nasrallah. Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut nisën në muajin tetor të vitit të kaluar kur filloi edhe lufta në Gaza mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Zyrtarisht, Izraeli njoftoi Kombet e Bashkuara mbi vendimin që të shkëpusë lidhjet me agjencinë që mbështet refugjatët palestinezë. Më herët, deputetët izraelitë votuan ndalimin e saj. Ministria e Punëve të Jashtme i komunikoi OKB-së anulimin e akordit. Izraeli akuzon punonjësit e agjencisë si pjesëmarrës në masakrën e 7 tetorit 2023, në krah të Hamasit, si dhe shumë prej tyre i quan “pjesë të problemit” e “jo të zgjidhjes në Rripin e Gazës”.