Bota

Izraeli vret dy anëtarë të Xhihadit Islamik!

Forcat izraelite vranë dy anëtarë të Xhihadit Islamik gjatë një operacioni në Bregun Perëndimor, siç thanë sot zyrtarët e ushtrisë dhe sigurisë. Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimit të brendshëm të inteligjencës “Shin Bet”, një nga te vrarët ishte anëtar drejtues i Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) në zonë. Muhamed Abdullah u vra gjatë një sulmi me raketa në zonën Tulkarem në veriperëndim të territorit palestinez. Të dy personat udhëtonin në automjet.

Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Abdullah ishte lideri i organizatës terroriste në lagjen e refugjatëve Nur Shams në Tulkarem.

Paraardhësi i tij u vra në fund të gushtit.

Ministria e Shëndetësisë në Ramallah konfirmoi vdekjen e dy anëtarëve, të moshave 21 dhe 30 vjeç.

Sipas raportimeve palestineze, automjete dhe buldozerë të ushtrisë izraelite po lëviznin gjithashtu nëpër qytet. Situata tashmë e tensionuar në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga masakra e Hamasit në jug të Izraelit, një vit më parë dhe pas luftës në Gazë.

Sipas ministrisë në Ramallah, që atëherë 719 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, përleshjet e armatosura dhe sulmet nga ekstremistët. Ushtria izraelite njoftoi dje se ka eliminuar një tjetër anëtar të rëndësishëm të Hezbollahut, teksa vazhdon të sulmojë këtë grup militant të mbështetur nga Irani, ashtu si Hamasi.

Adham Jahout, anëtar i “Rrjetit Terrorist të Golanit” që vepron në kuadër të Hezbollahut, u vra nga një sulm ajror në zonën e Kuneitras në Siri. Jahout po mblidhte informacione nga burime brenda regjimit sirian, si dhe ka lehtësuar operacione kundër Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Izraeli e ka aneksuar Rrafshnaltën e Golanit pasi luftoi kundër Sirisë në luftën e vitit 1967. Por, ky aneksim nuk është njohur nga shumica e shteteve. Në një tjetër zhvillim, po ashtu, ushtria izraelite njoftoi se eliminoi edhe dy komandantë të Hezbollahut në jug të Libanit e se avionët e saj sulmuan depo të municionit në zonën e kryeqytetit libanez Bejrut. Identitetet e dy komandantëve nuk u bënë të ditur.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmet e reja janë kryer ndërsa Amerika, aleate kryesore e Izraelit, paralajmëroi kundër bombardimeve në Liban, të ngjashme me ato që kanë shkatërruar Gazën.

Ushtria izraelite nisi ofensivën kundër Hamasit, pas sulmeve të grupit në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke lënë më shumë se 1 mijë e 100 njerëz të vrarë. Bombardimet izraelite në qendër e në veri të Gazës, në ditët e fundit, kanë vrarë me dhjetëra njerëz, referuar burimeve nga zyrtarë palestinezë.