Bota

Izraeli vazhdon sulmet në Rafah pavarësisht urdhrit të GJND-së!

Izraeli ka vazhduar edhe sot që të bombardojë Rripin e Gazës, përfshirë qytetin Rafah edhe pse një ditë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi që të ndalë operacionet ushtarake në qytetin më jugor të enklavës. Izraeli nuk po jep sinjale se vendimi i GJND-së ka ndikuar në planet e tij.

Izraeli nuk nuk do të kryejë operacione ushtarake në zonën e Rafahut që do të krijonin kushte për shkatërrimin e popullatës civile, tërësisht apo pjesërisht, – tha këshilltari për Sigurinë Kombëtare të vendit, Tzachi Hanegbi përmes një deklarate, duke përdorur fjalët që ishin pjesë e vendimit të GJND-së.

Më herët gjatë ditës së sotme, disa orë pas vendimit të GJND-së, Izraeli kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës ndërsa vijojnë luftimet mes trupave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Dje në vendimin e GJND-së u tha se Izraeli duhet që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah e të ndërmarrë masat e nevojshme që të adresojë krizën humanitare në mbarë rajonin. Masat përfshijnë edhe rihapjen e pikëkalimit kufitar në Rafah me Egjiptin, në mënyrë që të hyjë ndihma humanitare në Gaza.

Ky urdhër është pjesë e rastit të ngritur pranë gjykatës nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për gjenocid dhe i ka kërkuar gjykatës që të lëshojë urdhër që Izraeli të ndalë ofensivën e tij në Rafah.

Në vendimin e GJND-së më 26 janar, gjyqtarët vendosën që Izraeli duhet të bëjë gjithçka për të parandaluar kryerjen e gjenocidit gjatë ofensivës së tij në Gaza e që Izraeli e nisi në kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të Hamasit kundër Izraelit. Por, GJND-ja nuk urdhëroi një armëpushim.

Më 28 mars, GJND-ja urdhëroi Izraelin që të ndërmarrë veprime të nevojshme dhe efektive për të siguruar furnizime bazike ushqimore për popullatën civile palestineze në Gaza. Edhe pse vendimet e gjykatës janë ligjërisht të detyrueshme, kjo gjykatë nuk ka mekanizma për t’i zbatuar.

Izraeli dhe Hamasi zhvillojnë luftë që nga 7 tetori 2023, pas sulmit që Hamasi kreu në jug të Izraelit kur vrau 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë. Si pasojë e kundërpërgjigjes së Izraelit, në Gaza janë vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë.