Bota

Izraeli vazhdon sulmet në kryeqytetin libanez Bejrut!

Izraeli kreu një sërë sulmesh të reja në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Në një postim në platformën X, ushtria tha se shënjestra të goditjeve ishin “objektivat terroriste”. Po ashtu, shtoi se ka lëshuar disa urdhra evakuimi për njerëzit që jetonin në ndërtesat në periferitë jugore të kryeqytetit libanez Bejrut, sot në orët e para të ditës.  Për momentin, nuk ka raportime për viktima.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit po vijojnë një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut, grupit militant pro-iranian, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara në Libanin jugor.

Sulmet e reja u kryen disa orë pasi Irani sulmoi me rreth 180 raketa Izraelin, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e aleatëve të tij në Liban. Gjithashtu, Republika Islamike paralajmëroi për “sulme shkatërruese” nëse Izraeli përgjigjet. Përshkallëzimi i vazhdueshëm ka rritur frikën për rrëshqitjen e rajonit në një luftë gjithëpërfshirëse.

Trupave tokësore izraelite në kufirin e Izraelit me Libanin, Yoav Gallant iu tha se mund të angazhohen në luftën kundër Hezbollahut. Ministri i Mbrojtjes  shtoi se po vazhdon fushata ushtarake e Izraelit kundër Hezbollahut, pavarësisht vrasjes së Hassan Nasrallahut, liderit të grupit. Gallant e konsideroi “hap të rëndësishëm”, por “jo përfundimtar”.

Një diplomat perëndimor në Kajro të Egjiptit, vendi i të cilit është përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se një operacion tokësor izraelit në Liban pritet “së shpejti”. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se Izraeli i ka ndarë planet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e aleatët e tjerë perëndimorë, si dhe tregoi se operacioni do të jetë “i kufizuar”.

Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden bëri thirrje për një armëpushim mes njoftimeve se Izraeli po përgatitet të kryejë një operacion të kufizuar tokësor në Liban e që ka në shënjestër militantët e Hezbollahut.