Bota

Izraeli vazhdon sulmet ajrore në kryeqytetin libanez Bejrut!

Për të tretën ditë radhazi, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Bejrut duke goditur objektivat e kontrolluara nga Hezbollahu, grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Sulmet izraelite shënjestruan disa zona në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, pas bombardimeve të rënda të një nate më parë.

Qiellin e Bejrutit e mbuluan shtëllungat e tymit, me sulmet ajrore që vazhdojnë. Ndërkaq, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, gjatë natës, Izraeli sulmoi Bint Jeil-in në jug të shtetit. Pesë persona raportohet se u vranë gjatë sulmeve izraelite.

Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbejnë zjarr në kufi që nga tetori i vitit të kaluar kur nisi lufta në Gaza mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian. Por situata u përshkallëzua dhe Izraeli nisi një ofensivë të madhe ajrore e tokësore ndaj Hezbollahut, në fund të shtatorit.

Autoritetet libaneze ende nuk kanë konfirmuar numrin e viktimave nga sulmet e të enjtes në Bejrut. Por shifrat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit thonë se të paktën 3.365 persona mbetën të vrarë dhe 14 mijë e 344 të tjerë u plagosën.

Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW), shpreh shqetësim duke deklaruar se “urdhrat e vazhdueshëm të Izraelit për evakuimin e banorëve në Gaza përbëjnë krim lufte të transferimit me forcë dhe spastrim etnik në pjesët e territorit palestinez”.

HRW ka të dhëna të shumta se zyrtarët izraelitë po kryejnë krimin e luftës për transferimin me forcë. Po ashtu, duket se veprimet e Izraelit përputhen me përkufizimin e spastrimit etnik në zonat ku palestinezët nuk do të mund të kthehen.

Përfaqësuesja e HRW-së, Nadia Harman deklaroi se gjetjet e raportit 172 faqesh bazohen në intervista me banorët e zhvendosur të Gazës, në imazhe satelitore, si dhe raportimet publike deri në gusht të këtij viti. Edhe pse Izraeli ka thënë se zhvendosja justifikohet me sigurinë e civilëve apo për shkak të nevojave ushtarake, Hardman theksoi:

Izraeli thjesht nuk mund të varet nga prania e grupeve të armatosura për të justifikuar zhvendosjen e civilëve. Izraeli duhet të dëshmojë në çdo rast se zhvendosja e civilëve ishte opsioni i vetëm, për të respektuar plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.9 milion palestinezë u zhvendosën në Gaza deri në tetor 2024. Para se të niste lufta në tetor të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i popullsisë në Gazë ishte 2.3 milion banorë. Lufta në Gazë filloi kur Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1.200 persona e rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në enklavën palestineze janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë.