Bota

Izraeli vazhdon sulmet ajrore anti Hezbollah në Liban!

Paralelisht me luftën kundër Hamasit në Gaza, Izraeli vazhdon sulmet ajrore në Liban e që kanë shkaktuar shpërthime të mëdha në kryeqytetin libanez, Bejrut. Shteti hebraik tha se ka goditur objektiva të Hezbollahut, grupit militant pro iranian. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Bashkimi Europian i ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka një vend në parlamentin libanez.

Sulmet ajrore në periferi të Bejrutit goditën një ndërtesë në afërsi të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Libanit, siç raportoi Al-Manar, media e drejtuar nga Hezbollahu.

Izraeli konfirmoi se ka shënjestruar objektiva në afërsi të Bejrutit dhe vuri në dukje se rreth 30 predha janë lëshuar nga Libani drejt territorit izraelit, disa prej të cilave u penguan. Hezbollahu tha se “me sukses ka shënjestruar një grup ushtarësh izraelitë në veri të Izraelit, përmes një sulmi të kryer me raketa”. Por, ky pretendim i grupit militant libanez nuk është mundur që të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Të paktën 1 mijë e 400 libanezë, përfshirë civilë, punonjës shëndetësie e luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë dhe 1.2 milion persona u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në dy javët e fundit. Izraeli thotë se synon që ta dëbojë Hezbollahun nga kufiri me Izraelin, në mënyrë që qindra mijëra shtetas izraelitë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në prag të 1-vjetorit të masakrës së Hamasit në Izrael me rreth 1 mijë e 200 të vrarë e 250 të rrëmbyer e që çoi në luftën e përgjakshme në Gaza, mijëra izraelitë, sërish dolën në rrugë për të kërkuar lirimin e pengjeve të mbetur. Të afërmit e tyre akuzojnë kryeministrin Netanyahu për sabotim të marrëveshjes me Hamasin dhe përkulje ndaj kërkesave të partnerëve ultrafetarë e të koalicionit të ekstremit të djathtë. Madje, i tremben mundësisë se zhvendosja e vëmendjes te Libani do të zhyste në harresë çështjen e lirimit të të rrëmbyerve.

Grupet militante që mbështeten nga Irani në Siri, Irak e Jemen, po ashtu kanë kryer sulme ajrore nga distanca kundër Izraelit. Ushtria izraelite njoftoi edhe për një ofensivë të re tokësore e ajrore në Xhabalia, në veri të Gazës ku gjenden kampe të mbipopulluara të refugjatëve, të ngritura që nga lufta e vitit 1948, rreth kohës të krijimit të Izraelit.