Bota

Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve!

Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin masiv të palestinezëve nga Khan Younis duke sinjalizuar nje sulm të ri tokësor në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës. Urdhri sugjeron se Khan Younis do të jetë objektivi i fundit i sulmeve të Izraelit në Gaza, ndërsa ushtria vazhdon të ndjekë rigrupimin e militantëve të Hamasit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha dje se beson se faza kryesore e luftës kundër Hamasit islamik në Rripin e Gazës do të përfundojë së shpejti.

Ne po shkojmë drejt fundit të fazës së çmontimit të ushtrisë terroriste të Hamasit, u shpreh Netanyahu në Jerusalem, në një pritje të Akademisë Kombëtare të Mbrojtjes.

Netanyahu vizitoi më herët Divizionin e Gazës, i cili aktualisht është i vendosur në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Izraeli ka bombarduar Gazën prej disa muajsh dhe nisi një ofensivë tokësore pas sulmit masiv të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

Të paktën 37 765 palestinezë janë vrarë dhe 86 429 të tjerë janë plagosur në Gazë që atëherë sipas autoritetit shëndetësor në brezin bregdetar. Ofensiva në Rafah në kufirin me Egjiptin ka për qëllim çmontimin e njësive të fundit të mëdha luftarake të Hamasit, tha Netanyahu.

Megjithatë, milicia islamike mbetet ushtarakisht aktive në formën e njësive më të vogla. Fjalët e kryeministrit izraelit tregojnë se ofensiva e madhe tokësore e ushtrisë në Rripin e Gazës së shpejti mund të marrë fund.

Netanyahu dhe zyrtarë të lartë ushtarakë kanë theksuar shpesh se trupat izraelite do të mbeten në lokacione strategjike në zonën e mbyllur bregdetare edhe pas fazës së luftimeve intensive. Kjo do të përfshijë kryesisht të ashtuquajturin Korridori i Filadelfit, një rrip i ngushtë 14 kilometra i gjatë që kalon përgjatë kufirit me Egjiptin pranë Rafahut në anën e Gazës.

Artileria izraelite është kundërpërgjigjur ndaj rreth 20 raketave të lëshuara dje në territorin izraelit nga Rripi i Gazës, njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Që nga hyrja në Rripin e Gazës pas sulmeve të 7 tetorit, të nisura nga lëvizja islamike palestineze Hamas dhe organizata të tjera, IDF-ja ka shkatërruar ndërtesa, vendet e lëshimit të raketave dhe tunele. Mijëra raketa u hodhën gjatë muajve të parë drejt objektivave izraelite deri në Tel Aviv dhe Jerusalem.