Bota

Izraeli sulmon pjesën qendrore të kryeqytetit libanez Bejrut!

Izraeli kryen të parin sulm ajror në Bejrutin qendror në pothuajse një vit konflikt. Sot u rrafshua një objekt banimi. Goditja erdhi pasi Izraeli sulmoi objektiva në mbarë Libanin, duke vrarë dhjetëra persona. Ndërkaq, Hezbollahu si grup militant pro-iranian e parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor ka marrë goditje të mëdha në strukturën komanduese, përfshirë vrasjen e liderit Hassan Nasrallah.

Sulmi ajror goditi një ndërtesë shumëkatëshe banimi, sipas Associated Press. Videot e publikuara shfaqën autoambulanca e turma të mbledhura pranë godinës që gjendet në një qark me shumicë sunite, në një prej rrugëve më të frekuentuara.

Një fraksion i majtë palestinez në Liban tha se tre anëtarë të tij mbetën të vrarë. Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës njoftoi se komandantët e tij ushtarakë e të sigurisë në Liban, si dhe një anëtar tjetër u vranë gjatë sulmit. Ky grup nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në konfliktin e vazhdueshëm mes Izraelit e Hezbollahut.

Hezbollahu është organizatë e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara ndërsa Bashkimi Europian e ka në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo dhe partinë politike që ka një vend në Parlamentin libanez.

Një zyrtar i Mbrojtjes Civile të Libanit bëri të ditur se një anëtar i al-Xhama al-Islamija-s u vra në sulm dhe 16 persona të tjerë u plagosën, por grupi militant sunit, që lufton përkrah Hezbollahut, nuk ka konfirmuar vdekjen e asnjë anëtari.

Po ashtu, mëngjesin e sotëm, në një tjetër sulm ajror u vra një komandant i Hamasit, me prani në kampet e refugjatëve palestinezë në Liban.

Fatah Sharif dhe familja e tij u vranë gjatë sulmit ajror në kampin e refugjatëve Al-Bus në qytetin jugor të Surit.

Javët e fundit, shpesh Izraeli ka shënjestruar periferitë në jug të Bejrutit, ku Hezbollahu ka prani të madhe, përfshirë një sulm masiv të premten që la të vrarë Nasrallahun. Por deri tani, Izraeli nuk kishte goditur afër qendrës së qytetit. Zyrtarët izraelitë ende nuk kanë komentuar.

Më herët, Hezbollahu konfirmoi se zv.kryetari i Këshillit Qendror, Nabil Kaouk, u vra të shtunën. Shtatë udhëheqës të lartë të Hezbollahut janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite të kryera javën e kaluar. Në mesin e tyre ishin themelues të grupit.

Ali Karaki, një tjetër komandant i lartë, u vra gjatë sulmit që la të vrarë Nasrallahun. Izraeli ka thënë se të paktën 20 anëtarë të tjerë të Hezbollahut gjetën vdekjen.

Gjatë sulmeve të djeshme, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban u vranë të paktën 105 persona. Dy sulme ajrore pranë qytetit jugor të Sidonit, rreth 45 kilometra në jug të Bejrutit lanë të vrarë të paktën 32 persona. Ndërkaq, sulmet ajrore izraelite në provincën veriore të Balbek Hermelit lanë të vrarë 21 vetë dhe plagosën të paktën 47.

Mediat libaneze raportuan për dhjetëra sulme në pjesë të tjera të Libanit, përveç sulmeve në Bejrut. Izraeli thotë se shënjestruan militantët, por sulmet kanë goditur ndërtesa ku jetojnë civilët dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të flasë së shpejti me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shtuar se duhet të shmanget një luftë e plotë në Lindjen e Mesme.

Duhet të shmanget.

Pas përshkallëzimit dramatik të sulmeve ajrore izraelite në Liban, javët e fundit, Hezbollahu ka rritur ndjeshëm sulmet raketore që kanë plagosur dhjetëra persona duke shkaktuar dëme, por shumica e raketave dhe dronëve janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Ushtria izraelite u shpreh se sulmet e saj kanë për synim të degradojnë aftësitë e Hezbollahut. Po ashtu, dje ushtria izraelite ka kryer dhjetëra sulme ndaj shënjestrave të rebelëve Huthi në Jemen, në përgjigje të sulmeve të fundit. Paraprakisht, rebelët jemenas kishin gjuajtur një raketë balistike drejt aeroportit Ben Gurion të Izraelit, teksa avioni i Netanyahu-t po ulej të shtunën.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr pothuajse në baza ditore përgjatë kufirit mes Izraelit e Libanit që kur ka nisur lufta në Gaza, më 7 tetor 2023, mes Izraelit dhe Hamasit.