Bota

Izraeli sulmon një xhami e një shkollë me të zhvendosur në Gaza, 24 viktima!

Të paktën 24 persona u vranë sot e mbi 90 u plagosën në një sulm ajror izraelit që goditi një xhami dhe një shkollë në Rripin e Gazës. Izraeli ka intensifikuar bombardimet në veri të Gazës e në jug të Bejrutit, në Liban. Nga 7 tetori 2023, shteti hebraik ende po lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Por ka hapur edhe një front të ri kundër Hezbollahut, grup militant e parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor. Palët kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit që nga nisja e luftës në Gaza, një vit më parë. Izraeli është zotuar se do ta godasë edhe Iranin që mbështet Hezbollahun e Hamasin. Teherani kreu sulme me raketa balistike ndaj Izraelit, në fillim të muajit.

Grupet militante që mbështeten nga Irani në Siri, Irak e Jemen, po ashtu kanë kryer sulme ajrore nga distanca kundër Izraelit. Sulmi i sotëm në Gaza goditi një xhami e një shkollë ku strehoheshin persona të zhvendosur. Objekti i kultit gjendet pranë spitalit kryesor në Deir al-Balah. Izraeli tha se shënjestroi qendra komande e kontrolli të Hamasit.

Ushtria izraelite njoftoi edhe për një ofensivë të re tokësore e ajrore në Xhabalia, në veri të Gazës ku gjenden kampe të mbipopulluara të refugjatëve, të ngritura që nga lufta e vitit 1948, rreth kohës të krijimit të Izraelit.

Forcat izraelite kanë rrethuar Xhabalian dhe avionët luftarakë po godasin objektivat e Hamasit, para se trupat të avancojnë.

Që kur nisi lufta në Gaza, Izraeli ka kryer disa operacione të mëdha në Xhabalia. Po ashtu, Izraeli dha urdhra të rinj për evakuim në veri të Gazës e që kryesisht është zonë e pabanuar. Në javët e para të luftës, Izraeli urdhëroi të gjithë popullsinë të zhvendosej në jug. Deri në 30 mijë persona vlerësohet se vazhdojnë të jenë në veri të Gazës. Përmes pamfleteve të hedhura, ushtria izraelite njoftoi:

Jemi në një fazë të re të luftës. Këto konsiderohen zona të rrezikshme luftuese. Shteti po zgjeron të ashtuquajturën zonë humanitare në jug të Gazës.

Në këtë zonë ka kampe me tenda ku qindra mijëra persona janë strehuar. Izraeli kreu sulme ajrore brenda zonës humanitare duke pretenduar se luftëtarët e Hamasit po fshihen në mesin e civilëve. Që nga nisja e luftës, në Gaza janë vrarë pothuajse 42 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1.200 persona e rrëmbeu afro 250 të tjerë. 100 civilë ende mbahen pengje.