Bota

Izraeli sulmon Bejrutin/Hezbollahu godet bazat ushtarake izraelite!

Sulme ajrore izraelite në Bejrut kundër Hezbollahut, grupit militant pro-iranian që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Shtëllunga tymi u panë në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, pasi ushtria e Izraelit lëshoi urdhër për evakuimin e banorëve nga tri zona.

Gjatë natës, Izraeli kreu sulme ajrore e me artileri në jug të Libanit duke goditur qytezën e Kiamit. Bombardimet u kryen pasi ushtria izraelite raportoi për “breshëri raketash” në Haifa të Izraelit. U godit një sinagogë dhe u plagosën dy civilë.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Liban që nga 23 shtatori i këtij viti dhe më pas nisi një ofensivë tokësore, pasi për pothuajse një vit, trupat ushtarake të shtetit hebraik dhe Hezbollahu shkëmbejnë zjarr në kufi teksa zhvillohej lufta në Gaza që filloi kur militantë të Hamasit mësynë jugun e Izraelit e vranë 1 mijë e 200 vetë, si dhe rrëmbyen afro 250 të tjerë, disa prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Mijëra palestinezë, shumica gra e fëmijë kanë gjetur vdekjen nga reagimi izraelit.

Kujtojmë se Hezbollahu është grup i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pjesërisht nga BE-ja. Bashkimi Europian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak por jo edhe atë politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka një vend në Parlamentin libanez.

Periferitë jugore të Bejrutit prej disa ditësh po përballen me sulme të pareshtura të Izraelit, pasi ato zona konsiderohen “bastion i Hezbollahut”.

Një ditë më parë, ushtria izraelite raportoi se ka sulmuar “një depo të armëve” e një “qendër komanduese” të Hezbollahut, që po dje, gjuajti rreth 80 predha drejt Izraelit. Autoritetet libaneze thonë se më shumë se 3 mijë e 452 persona kanë mbetur të vrarë që nga tetori i vitit të kaluar dhe shumica e viktimave janë regjistruar që nga shtatori i këtij viti, siç ishin sulmet me shpërthime në distancë përmes radiolidhjeve. Ndërkaq, Izraeli ka raportuar për 48 të vrarë gjatë luftimeve me Hezbollahun.