Bota

Izraeli shënjestron Huthët në Jemen pas sulmit me dronë në Tel Aviv!

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur shënjestra të rebelëve Huthi në afërsi të portit Hodeidah të Jemenit, duke vrarë të paktën tre persona e plagosur 87 të tjerë. Sulmi ndodhi pak orë pasi Huthët, grup i mbështetur prej Iranit, goditi qytetin izraelit të Tel Avivit. Shumë prej të plagosurve kanë pësuar djegie të rënda në sulmet ajrore që shënjestruan infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të naftës, siç raportoi televizioni Al-Masirah, që drejtohet nga grupi rebel.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite vuri në dukje se porti është përdorur prej Huthëve për të pranuar armë zjarri prej Iranit. Izraeli bëri të ditur edhe se i ka informuar aleatët para këtij sulmi, të cilin forcat e armatosura e kryen me avionë luftarakë të llojit F-15.

Po ashtu, reagoi Këshilli i Lartë Politik i Huthëve duke thënë se do të ketë “një përgjigje efektive” ndaj sulmeve. Bombardimet në Jemen, për të cilat zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se janë kryer pas më shumë se 200 goditjeve të Huthëve në territorin e Izraelit, po rrisin akoma më shumë shqetësimet se lufta në Gaza do të mund të përhapet më tej në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.

Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar u nxit prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1 mijë e 200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë e një pjesë e tyre mbahet ende.

Besohet se 116 pengje vijojnë të jenë në Gaza, përfshirë 42, për të cilët ushtria izraelite mendon se mund të jenë vrarë. Nuk vonoi shumë dhe shteti hebraik që u zotua për hakmarrje ndaj atij që e cilësoi “11 shtatori i Izraelit”, nisi fushatën e gjerë në Gaza, me objektivin për të shkatërruar Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.

Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon e që nuk po ndalet, janë vrarë më shumë se 38 mijë palestinezë, referuar shifrave të autoriteteve shëndetësore palestineze. Nga ana tjetër, rebelët Huthi deklarojnë se sulmet e tyre ndaj Izraelit kryhen në shenjë solidariteti të fortë me palestinezët në Gaza.