Bota

Izraeli nuk ndalet, 17 palestinezë të vrarë nga sulmet në Gaza!

Të paktën 17 palestinezë u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve më të fundit izraelite, mëngjesin e sotëm në Gazë. Lajmi e dhanë zyrtarët e emergjencave civile dhe zyrtarët shëndetësorë. Katër sulme të ndara ajrore shënjestruan katër shtëpi në zona të ndryshme. Banorët dhe autoritetet shëndetësore palestineze thanë se ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore dhe bombardimet.

Sulmet e sotme vijnë pasi një ditë më parë, nga një bombardim ajror izraelit u vranë të paktën 90 palestinezë në një zonë të shpallur humanitare në Gaza, siç tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në këtë territor palestinez në javët e fundit.

Izraeli vuri në dukje se sulmi shënjestroi shefin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, por është e paqartë nëse ai mbeti apo jo i vrarë. Hamasi deklaroi se pretendimet e Izraelit se ka shënjestruar liderë të grupit janë “të rreme” dhe sipas tij, bëhen vetëm për të justifikuar sulmin.

Për vite të tëra, Deif ka qenë në krye të listës së personave më të kërkuar nga Izraeli dhe besohet se u ka ikur disa tentativave për vrasje nga ky vend, në të kaluarën. Një zyrtar që foli në kushte anonimiteti tha se Rafa Salama, një tjetër zyrtar i lartë i Hamasit u shënjestrua nga ushtria hebraike. Por, nuk dha detaje nëse këta dy zyrtarë të lartë të Hamasit janë vrarë apo jo.

Shteti hebraik nisi ofensivën e tij në Gaza pas sulmit të 7 tetorit 2023 të Hamasit, kur në jug të Izraelit u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u plagosën afro 250 të tjerë. Që nga ajo kohë, si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gaza janë vrarë më shumë se 38 mijë persona dhe kanë mbetur të plagosur më tepër se 88 mijë të tjerë, referuar burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.

Kryeministri izraelit Netanyahu është zotuar ta mposhtë plotësisht Hamasin edhe pse po përballe me kritika të ashpra për shkak të numrit të viktimave në rritje mes civilëve.