Zyrtarisht, Izraeli njoftoi Kombet e Bashkuara mbi vendimin që të shkëpusë lidhjet me agjencinë që mbështet refugjatët palestinezë. Më herët, deputetët izraelitë votuan ndalimin e saj. Ministria e Punëve të Jashtme i komunikoi OKB-së anulimin e akordit. Izraeli akuzon punonjësit e agjencisë si pjesëmarrës në masakrën e 7 tetorit 2023, në krah të Hamasit, si dhe shumë prej tyre i quan “pjesë të problemit” e “jo të zgjidhjes në Rripin e Gazës”.
Me udhëzimin e ministrit të Jashtëm, Izrael Katz, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar OKB-në për anulimin e marrëveshjes mes shtetit të Izraelit dhe UNRWA-s, bëri të ditur Ministria e Jashtme izraelite përmes një deklarate. Organizata UNRWA-s, punonjësit e së cilës morën pjesë në masakrën e 7 tetorit dhe shumë të tjerë janë operativë të Hamasit, është pjesë e problemit në Rripin e Gazës dhe jo pjesë e zgjidhjes.
Hamasi është grup palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Lufta në Gaza nisi pasi më 7 tetor 2023, ky grup sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 persona e rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gaza kanë gjetur vdekjen më shumë se 43 mijë palestinezë.
Muajin e kaluar, Parlamenti i Izraelit miratoi vendimin për mbylljen e operacioneve të UNRWA-s në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor, pavarësisht dënimit nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga aleati Uashingtoni. Nëse zbatohet ndalimi i agjencisë së OKB-së, që për më shumë se shtatë dekada ka ofruar ndihmën e nevojshme në mbarë territoret palestineze dhe për refugjatët palestinezë në të tjera vende do të jetë një goditje për punën humanitare në Gazë, sipas ekspertëve.
Por, Katz hodhi poshtë këto argumente, duke thënë se vetëm një pjesë e ndihmës është dërguar në Gazë nga UNRWA.
Edhe tani, shumica e ndihmës humanitare në Gazë dërgohet nga organizata të tjera dhe vetëm 13% dërgohet nga UNRWA. Shteti i Izraelit është i përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe do të vazhdojë të lehtësojë hyrjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës në një mënyrë që nuk do të rrezikojë sigurinë e qytetarëve të Izraelit.
UNRWA dhe të tjera agjenci humanitare kanë akuzuar autoritetet izraelite se po kufizojnë dërgesat me ndihma për në Gaza ku shumica e popullsisë prej 2.3 milion banorësh është zhvendosur disa herë gjatë luftës.