Ushtria izraelite po zgjeron operacionet e saj në fronte të shumta, duke planifikuar një hakmarrje të rëndësishme dhe serioze kundër Iranit për sulmin me raketa balistike javës së kaluar ndaj Izraelit.
Shenjat e një hakmarrjeje të afërt izraelite kundër Iranit erdhën pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një embargo ndërkombëtare për armët e dorëzuara në Izrael për përdorim kundër Gazës, ku autoritetet thonë se më shumë se 41,000 palestinezë janë vrarë në sulmin e gjatë një viti të Izraelit.
“Unë mendoj se sot, prioriteti është që ne të kthehemi te një zgjidhje politike, që të ndalojmë dorëzimin e armëve për të luftuar në Gaza ,” i tha Macron transmetuesit France Inter, duke shtuar se Franca nuk po dërgonte asnjë armë në Izrael.
Macron bëri komentet e tij, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se një sulm i madh ndaj Iranit ishte i pashmangshëm, pasi Izraeli goditi objektivat në Liban, Siri dhe Gaza të shtunën.
“IDF [ushtria izraelite] po përgatit një përgjigje ndaj sulmit të paprecedentë dhe të paligjshëm iranian ndaj civilëve izraelitë dhe Izraelit,” tha zyrtari ushtarak në kushte anonimiteti pasi ai nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje.
Ndërsa Izraeli tha se po planifikonte përgjigjen e tij ndaj sulmeve raketore iraniane të së martës, të cilat goditën në ose pranë një numri bazash kryesore izraelite, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi për kundër sulmet ndaj objekteve të naftës iraniane, një ditë pasi tha se Uashingtoni po diskutonte një veprim i tillë, shkruan The Guardian.
“Nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera përveç goditjes së fushave të naftës”, tha Biden gjatë një paraqitjeje të rrallë në konferencën e përditshme për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.
Mes dhunës, spekulimet po forcoheshin se një sulm në periferitë jugore të Bejrutit kishte vrarë Hashem Safieddine, i cili pritej gjerësisht të pasonte liderin e vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Sipas burimeve libaneze të sigurisë, Safieddine ka qenë i paarritshëm që nga e premtja.
Vlerësimet sugjerojnë se Safieddine u vra me ndihmësit dhe këshilltarët iranianë në një sulm të fuqishëm që e ka bërë të vështirë arritjen e çdo trupi. Pas sulmit, IDF tha se kishte goditur selinë e inteligjencës së Hezbollahut pa bërë të ditur se kush ishte i pranishëm.
Luftimet vijnë ndërsa Izraeli përgatitet të shënojë të hënën përvjetorin e parë të sulmit shkatërrues të Hamasit të 7 tetorit, që shkaktoi luftën aktuale në Gaza, e cila tani ka përfshirë Libanin fqinj, duke krijuar një krizë të rrezikshme rajonale.
Si një koment për goditjen kundër Iranit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi kundërpërgjigje në një video-mesazh pak më parë:
“Irani qëndron pas të gjitha kërcënimeve dhe sulmeve kundër nesh. Ata hodhën qindra raketa drejt nesh në një nga sulmet më të mëdha në histori. Asnjë vend në botë nuk do ta pranonte një sulm të tillë, madje as Izraeli. Izraeli ka detyrën dhe të drejtën për të mbrojtur veten dhe për t’iu përgjigjur sulmeve të tilla dhe ne do ta bëjmë këtë.”