Bota

Izraeli nis operacion tokësor në Liban!

Izraeli nisi operacionin tokësor në jug të Libanit. Në shënjestër është vendosur, Hezbollahu, grupi militant pro iranian, me bazë në shtetin libanez. Izraeli e filloi ofensivën tokësore pavarësisht kundërshtimit amerikan, në mesin e frikës se një veprim i tillë mund të nxjerrë jashtë kontrollit ngjarjet në Lindjen e Mesme.

Megjithë thirrjet nga mbarë bota në lidhje me uljen e tensioneve, shteti hebraik zotohet që të mbajë presionin ndaj Hezbollahut, si dhe ka shpallur një zonë ushtarake në disa pjesë të kufirit të tij verior me Libanin.

Në përputhje me vendimin e udhëheqjes politike, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nisën kontrolle të kufizuara, të lokalizuara e të shënjestruara tokësore, bazuar në informacionet e sakta kundër objektivave terroriste të Hezbollahut e infrastrukturës në jug të Libanit. Këto objektiva gjenden në fshatrat në afërsi të kufirit e paraqesin kërcënim për komunitetet izraelite në veri të Izraelit.

Javët e fundit, Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore ndaj Hezbollahut, përshirë ato me raketa që vranë liderin e grupit, Hassan Nasrallah, si edhe iu morën jetën shumë drejtuesve të Hezbollahut e anëtarëve të tjerë të grupeve të sanksionuara militante. Nasrallah ishte 64-vjeç dhe e drejtonte grupin prej 32 viteve duke e fuqizuar ndjeshëm.

Zyrtarë të lartë të Hezbollahut kanë thënë ditët e fundit se luftëtarët e grupit janë “gati nëse Izraeli vendos që të hyjë në rrugë tokësore në Liban”. Nisja e operacionit tokësor erdhi disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, u pyet nëse binte dakord që Izraeli të ndërmerrte një veprim të tillë në Liban.

Jam i qetë nëse ata ndalojnë. Na duhet një armëpushim tani.

Pas rritjes së tensioneve, Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni beson se mënyra e vetme që të ketë një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit është përmes zgjidhjes diplomatike.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Bashkimi Europian e ka futur në listën e zezë, krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka një vend në Parlamentin libanez.